Ish-kryeministri Alexis Tsipras, politikani i majtë i njohur për retorikën e tij të ashpër, i cili udhëhoqi Greqinë në kulmin e krizës së borxhit më 2015, ka themeluar një parti të re politike, duke premtuar luftë kundër korrupsionit dhe rritje ekonomike gjithëpërfshirëse.

Tsipras, 51 vjeç, i njohur për përplasjen dramatike me kreditorët ndërkombëtarë të Greqisë lidhur me paketën e tretë dhe të fundit të shpëtimit financiar – që për pak sa nuk e nxori vendin nga eurozona – u rrëzua nga pushteti në vitin 2019 nga partia e qendrës së djathtë “Demokracia e Re” e kryeministrit aktual Kyriakos Mitsotakis, katër vite pasi ishte detyruar të pranonte masat e kursimit kundër të cilave kishte bërë fushatë.

Mbrëmjen e së martës, ai prezantoi partinë “Aleanca e Majtë Greke (ELAS)”, duke premtuar rikthimin e sundimit të ligjit dhe pavarësisë së institucioneve, ndërsa synon të përfitojë nga mosbesimi i gjerë ndaj qeverisë Mitsotakis për shkak të skandaleve të korrupsionit, përfshirë mashtrimet me subvencionet bujqësore të Bashkimit Evropian dhe përgjimet ndaj një lideri politik.

“Vendi ynë po rrëshqet vazhdimisht prapa dhe po largohet nga ajo që quhet ligji evropian”, u tha ai mbështetësve të mbledhur në një hapësirë të hapur pranë kodrës së Akropolit për prezantimin e partisë së re.

“Përfitimi, korrupsioni dhe lidhjet klienteliste janë bërë normë për fitimin e pasurisë dhe pushtetit në Greqinë moderne”, tha ai.

“Sot lind një forcë e re politike, që synon jo vetëm ndryshim politik, por edhe ndryshim të politikave”.

Tsipras dha dorëheqje si lider i partisë së qendrës së majtë Syriza në vitin 2023, pas humbjes së dytë të rëndë zgjedhore ndaj partisë së Mitsotakis.

Vitin e kaluar ai hoqi dorë edhe nga mandati i deputetit, një veprim që çoi në fragmentimin e Syrizas dhe krijimin e partive të reja, ndërsa Partia Socialiste mori rolin e opozitës kryesore.

Analistët thonë se rikthimi i Tsiprasit nuk ka gjasa të sfidojë drejtpërdrejt Mitsotakisin, i cili po humb mbështetje për shkak të skandaleve të korrupsionit dhe protestave masive pas aksidentit hekurudhor në Tempi – katastrofa më e rëndë hekurudhore në Greqi – ku humbën jetën 57 persona në vitin 2023, ndërsa vendi po shkon drejt zgjedhjeve parlamentare vitin e ardhshëm.

Megjithatë, rikthimi i tij mund ta riformësojë opozitën e fragmentuar dhe të vështirësojë përpjekjet e Mitsotakis për të ruajtur shumicën absolute, duke tërhequr votues të zhgënjyer nga partitë e majta, ato centriste dhe qytetarë të goditur nga rritja e kostos së jetesës, e përkeqësuar nga çmimet e larta të energjisë.

“Besoj se gjashtë deri në nëntë muajt e ardhshëm janë vendimtarë. Më saktë, gjashtë muajt e ardhshëm janë më kritikët”, tha Tsipras.

Disa orë para lansimit të partisë ELAS, Mitsotakis kritikoi atë që e quajti “Babel politik” të partive të reja dhe figurave të rikthyera, që sipas tij po krijohen vetëm për të sulmuar qeverinë e tij.

Duke renditur mirëqenien sociale, strehimin e përballueshëm dhe kujdesin shëndetësor si prioritetet kryesore, Tsipras premtoi të ardhura më të larta për të gjithë, politikë gjithëpërfshirëse për migracionin dhe një orientim drejt rritjes ekonomike të udhëhequr nga bujqësia dhe prodhimi.

“Ne angazhohemi për një jetë me dinjitet, për mbrojtjen e punëtorëve nga kostoja e lartë e jetesës, për paga dinjitoze”, tha ai.

Themelimi i partisë vjen disa ditë pasi Maria Karystianou, një mjeke vajza e së cilës humbi jetën në aksidentin hekurudhor në Tempi, themeloi partinë e saj politike duke kërkuar drejtësi për tragjedinë.

Një sondazh i publikuar këtë javë nga kompania “Interview” tregoi se “Demokracia e Re” vazhdon të kryesojë me 26.1%, shumë më pak se 41% që kishte marrë në zgjedhjet e vitit 2023. Partia e re e Tsiprasit renditet e dyta me 12.8%, duke e shtyrë PASOK-un në vendin e tretë, ndërsa partia e Karystianou renditet e katërta.