Lista Serbe është kthyer me fitore pa balotazh në nëntë komuna, gjersa në një do të duhet të garojë edhe në raundin e dytë. Në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok, Shtërpcë, Partesh, Graçanicë, Ranillug dhe Novobërdë kjo parti e kreu me të parën. Në Kllokot, do të garojë sërish kundër partisë Srpska Narodna Sloga.
Në komunat veriore të Kosovës, Lista Serbe fitoi bindshëm në Zgjedhjet Lokale që u mbajtën dje (e diele, 12 tetor 2025). Në Mitrovicë të Veriut fitoi 60.25%, në Zveçan 86.66%, në Leposaviq 70.35% dhe në Zubin Potok 70.99 për qind.
Në këtë pjesë të Kosovës, “çlirimi” si definicion i krijuar e perforcuar nga pushteti i Vetëvendosjes do të sfidohet seriozisht pasi në zyret komunale do të ulen personat e partisë, kryetarët e së cilës kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022.
Bindshëm, Lista Serbe fitoi edhe në komunat tjera. Në Shtërpcë mori 59.44 për qind, në Ranillug 71.05 për qind, në Graçanicë 62.54 për qind, në Novobërdë 62.30 për qind, në Partesh 89.99 për qind.
Të njejtën performancë, Lista Serbe e kishte edhe në zgjedhjet e vitit 2021. Në nëntë fitonte me të parën, në Kllokot shkonte me balotazh.
Katër kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok) dhanë dorëheqje më 5 nëntor 2022.
Dorëheqjet ndodhën si pjesë e një bojkotimi të institucioneve të Kosovës nga përfaqësuesit serbë, përfshirë edhe policinë, gjyqësorin dhe institucionet komunale, në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat e makinave me mbishkrimin “RKS”dhe për moslejimin e targave ilegale “KM”, “PR”, “PZ”.
Kjo krizë politike çoi më pas në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në prill 2023 të cilat u bojkotuan nga komuniteti serb dhe rezultuan me fitoren e kandidatëve shqiptarë me pjesëmarrje shumë të ulët të votuesve.








