Ushtria e Iranit thotë se kufizimet për kalimin e anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit po rivendosen, duke pretenduar “shkelje të përsëritura të besimit” nga ana e Shteteve të Bashkuara në armëpushimin mes dy palëve.

Të premten, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, shkroi në X se ngushtica ishte e hapur për qarkullim, por brenda pak orësh mediat shtetërore iraniane konfirmuan “mbikëqyrjen e plotë të forcave të armatosura iraniane mbi kalimin e anijeve, dhe një kalim i tillë konsiderohet i pavlefshëm nëse bllokada e pretenduar detare vazhdon.”

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka këmbëngulur se bllokada detare e porteve iraniane do të mbetet në fuqi derisa të arrihet një marrëveshje e plotë me Teheranin. Nuk është e qartë se kur dhe ku mund të takohen sërish të dyja palët pas dështimit të raundit të parë të bisedimeve në Islamabad fundjavën e kaluar.

Një zëdhënës ushtarak iranian tha se Teherani kishte lejuar kalimin e një “numri të kufizuar cisternash nafte dhe anijesh tregtare” përmes ngushticës.

“Por fatkeqësisht, amerikanët, me shkeljet e tyre të përsëritura të besimit që janë pjesë e historikut të tyre, vazhdojnë të angazhohen në pirateri dhe vjedhje detare nën të ashtuquajturin titull të bllokadës,” tha zëdhënësi, sipas agjencisë gjysmë-zyrtare të lajmeve Fars.

Kontrolli i ngushticës ishte sërish “nën menaxhimin dhe kontrollin e rreptë të forcave të armatosura,” derisa SHBA-ja t’i japë fund bllokadës së anijeve që nisen nga dhe drejtohen drejt porteve iraniane, shtoi ai.