Në mesin e 20 personave kundër së cilëve Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzës për krime lufte kundër popullsisë civile në Komunën e Gjakovës, është edhe krimineli serb, Milan Radojiçiç. Sipas aktakuzës Radojiçiç dhe 19 të tjerët akuzohen për vrasjen e 107 civilëve.
“Sipas aktakuzës, gjatë viteve 1998-1999, M.K., në cilësinë e shefit të Sekretariatit të Punëve të Brendshme (SUP) në Gjakovë, R. Ç., në cilësinë e komandantit të njësive të Policisë së Posaçme, (PJP) dhe M.D., në cilësinë e komandantit të Brigadës së 52-të të Artilerisë Raketore, së bashku me të pandehurit P.R., S.K., L.O., Zh.S., S.S., L.D., Z.R., D.G., Ç.B.,V.B.,R.B.,R.R.,L.R., M.Sh.,M.R., S.G., T.A., në cilësinë e pjesëtarëve të njësive të lartëcekura, akuzohen për pjesëmarrje në vrasjen e 107 civilëve, gjatë një operacioni të gjerë ushtarako-policior”, thuhet në njoftimin i Prokurorisë.
Gjatë këtij operacioni, sipas aktakuzës, të pandehurit fillimisht kanë ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat.
“Gratë janë plaçkitur, duke iu marrë stolitë e arit, paratë dhe sendet e tjera me vlerë, ndërsa burrat janë ekzekutuar disa në shtëpitë dhe oborret e tyre, disa në lokacionin e njohur si “Ura e Taliqit”. Po ashtu, edhe shtëpitë ishin djegur”, shton PSRK.









