Kryeterroristi Milan Radoiçiç, i kërkuar nga Interpoli për sulmin në Banjskë, është parë në tubimin parazgjedhor të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në Kragujevc.
Pamjet e publikuara nga mediat serbe tregojnë Radoiçiqin pranë Danilo Vuçiçit, djalit të Aleksandar Vuçiçit, jashtë sallës “Jezero”, ku u mbajt tubimi i partisë.
Kryekrimineli Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur që kreu sulmin terrorist në Banjskë të Kosovës, më 24 shtator 2023, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Atë mëngjes, grupi i armatosur serb i prirë nga Radoiçiqi u përlesh me Policinë e Kosovës. Tre pjesëtarë të grupit u vranë, ndërsa të tjerët u larguan drejt Serbisë.
Pavarësisht përgjegjësisë së marrë nga Radoiçiqi, ai vazhdon të jetë i lirë në Serbi, ndërsa autoritetet e Kosovës e kërkojnë në lidhje me sulmin. Interpoli kishte lëshuar urdhër-arrest për të dhe 11 persona të tjerë në dhjetor të vitit 2023
Në prill të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me burgim të përjetshëm Blagoje Spasojeviqin, Vladimir Toliqin dhe Dushan Maksimoviqin, në procesin gjyqësor për sulmin në Banjskë.
Pamjet e fundit të njohura publikisht nga Kosova, ku shihet Radoiçiqi, janë ato të filmuara nga droni i Policisë së Kosovës pas sulmit në Banjskë, teksa ai largohej i armatosur drejt maleve.









