Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, i është kundërpërgjigjur ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, pas deklaratave të saj për PDK-në dhe figurat që, sipas saj, kanë ndikim në prapaskenë.
Lushtaku i ka thënë Haxhiut se duhet të merret me punët e saj dhe jo me atë se kush e udhëheq PDK-në.
“Albulena Haxhiu duhet me kry punën e vet, mos me u interesu kush është kryetar i Partisë Demokratike edhe e din komplet opinioni në Kosovë që Bedri Hamza është kryetar i partisë”, tha Lushtaku.
Ai deklaroi se e di që Vetëvendosjes i pengon qëndrimi i tij politik, ndërsa e akuzoi këtë parti se ka përçarë dhe helmuar popullin.
“Unë e di që e pengoj Vetëvendosjen sepse unë jam kundër politikave të Vetëvendosjes, e cila e ka përça dhe e ka helmu këtë popull. Prandaj unë jam i qartë, as nuk më ka frikë, as nuk e kam ndërmend me i mshef atë që i mendoj”, tha ai.
Haxhiu, ndërkohë, në “Debat Plus” kishte deklaruar se për Vetëvendosjen një koalicion me PDK-në është i pamundur, duke pretenduar se brenda kësaj partie ka figura me fuqi e pushtet që kanë probleme me ligjin dhe pasurinë e krijuar.
E pyetur nëse kjo lidhet me Sami Lushtakun, Haxhiu iu përgjigj me Ligjin për Byronë.
“Uroj që Ligji për Byronë të hyjë në fuqi shumë shpejt dhe pastaj secili do të japë llogari për pasurinë që e ka krijuar”, kishte deklaruar Haxhiu.
Lushtaku i është përgjigjur edhe pretendimeve se ai mund të ketë ambicie për të marrë drejtimin e PDK-së.
“Me deshtë kisha konkuru dhe kisha tentu me u bo kryetar. As s’kam pretendime, as nuk kam pasë pretendime domethënë që të jem kryetar i Partisë Demokratike. Unë jam një kryetar i një dege që quhet Drenicë, apo më shkurt, Skenderaj”, përfundoi Lushtaku ne Klan Kosova/









