“Në kundërshtim me informacionin e rremë në lidhje me Gjykatën që shpërndahet vazhdimisht, Dhomat e Specializuara garantojnë të drejtat për gjykim të drejtë për të akuzuarit..”, thoshte Ekaterina Trendafilova.
Ka dy vjet që kryetarja e Speciales, Ekaterina Trendafilova, u shmanget pyetjeve direkte për procesin në Hagë.
Hera e fundit që doli para gazetarëve ishte nën kushte hermetike: pyetjet i kërkoi paraprakisht dhe nuk lejoi asnjë të dytë.
“Kjo është konferenca e parë ku një institucion i kërkon pyetjet paraprakisht”, tha një gazetar në konferencën e saj në vitin 2024.
Së fundi, ajo doli me një video-mesazh nga Haga, ku shpërndan informacione të thata, viktimizohet dhe hedh akuza të mjegullta për “fushata dezinformimi nga Kosova”, pa dhënë asnjë shembull konkret.
“Që prej themelimit, Dhomat e Specializuara kanë qenë objekt i informacionit të rremë lidhur me pavarësinë dhe funksionimin e institucionit”.
Nëse ajo e pretendon të vërtetën, le të përgjigjet në disa pyetje.
A janë dezinformata takimet e saj dhe të prokurorëve me diplomatë evropianë, ku flitet për dënime me burgim të përjetshëm, ku flamuri i Kosovës cilësohet provokim dhe ku vetë ajo ndërhyn te gjyqtarët se si të ndëshkohen avokatët?
A është dezinformatë se rreth 80% e procesit të stërzgjatur u zhvillua larg syrit të publikut dhe u fshehën prova shfajësuese?
A është dezinformatë se Specialja është ushqyer me mijëra materiale të konstruktuara nga Serbia?
A është dezinformatë se ajo shkarkoi nga Apeli gjyqtarin që mbështeti lirimin me kusht të Hashim Thaçit?
A është dezinformatë se Apeli ka rrëzuar 44 parashtresa të mbrojtjes dhe ka miratuar çdo kërkesë të prokurorisë?
“Në pajtim me betimin e tyre gjyqësor, gjykatësit i kryejnë detyrat e tyre gjyqësore në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe të ndërgjegjshme, në shërbim të drejtësisë dhe sundimit të ligjit”, Ekaterina Trendafilova.
Në këtë gjykatë, trupi gjykues, në secilin rast, nuk ka qenë asgjë më shumë se një dorë e zgjatur e prokurorisë.
Veçanërisht paneli në gjykimin e krerëve të UÇK-së ka dëshmuar se funksionoi si batalion në shërbim të akuzës: me pyetje orientuese, shtrembërim deklaratash dhe marrje më shumë se mbrojtjet.
Prandaj edhe avokatët u detyruan disa herë në seanca të reagojnë për sjelljen e tyre e të ankohen me shkresa për pyetjet dhe qasjen e tyre të anshme.
Gjyqtarët në fakt, siç i cilësuan edhe ekspertët britanikë në raportin e tyre – ishin si “prokurorë të dytë”.
Trendafilova ka të drejtë: ky proces u shoqërua me një dezinformatë gjigante.
Dezinformata më e madhe ishte premtimi i Hagës për drejtësi të pavarur, që u paketua në Evropë me një investim multimilionësh që, në vend të së vërtetës, prodhoi vetëm politikë, institucionalizoi padrejtësinë, dënoi UÇK-në dhe rishkroi historinë e luftës së Kosovës për liri.








