Më 31 janar do të mblidhet Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në të cilin Kryetari aktual, Lumir Abdixhiku, do të kërkojë votëbesim dhe kështu delegatët e Kuvendit të vendosin nëse do të mbajnë apo largojnë si drejtues të tyre.

Kështu bëri të ditur zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, në një konferencë për media, pas mbledhjes disa orëshe të Kryesisë së LDK-së.

“Më 31 janar është ftuar mbledhja e Kuvendit të LDK-së. Në këtë Kuvend siç është deklaruar vetë kryetari Lumir Abdixhiku, ai do të ofrojë dorëheqjen për të lënë lirë Kuvendin të vendosë edhe për këtë çështje edhe për çështjet e tjera e diskutimet e tjera që mund të ngriten në atë Kuvend”, tha Mustafa.

Në Kuvend, tregoi Mustafa, Abdixhiku do të kërkojë votëbesimin e delegatëve.

“Pra, Kuvendi, i cili i ka 355 delegatë, do të vendosë për këtë kërkesë nëse do të kenë akoma besim në Kryetarin Lumir Abdixhiku. Pra, është kërkesë për votëbesim”, shtoi ai.

Këto zhvillime në LDK, vijnë pas rezultati të dobët që kjo parti mori në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, duke u renditur e treta me mbi 13 për qind të votave.