Ishte viti 2021 kur Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, shihet në një video në një akt të turpshëm e kriminal duke sulmuar një qytetar.
Në një nga institucionet më të rëndësishme shëndetësore të qytetit, kryetari humb kontrollin dhe godet qytetarin, që është edhe zyrtar komunal.
Para se video të shpërndahej masivisht, Bulliqi e kishte quajtur ngjarjen “shpifje”.
“Sqarim lidhur me një lajm që po qarkullon në portale të ndryshme, se gjoja sot kam sulmuar një zyrtar komunal në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare. Këto pretendime janë krejtësisht të pavërteta dhe shpifje me qëllim të vetëm për të dëmtuar reputacionin tim si kryetar i Komunës dhe të subjektit tim politik në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit”.
Shkruante Bulliqi para se videoja e publikuar të thoshte të kundërtën e pretendimeve të tij.
Por, kjo është vetëm një pjesë e historisë, pas saj fshihen të tjera ngjarje.
Vendimi për Bulliqin merret një vit pas, natyrisht me gjobë minimale.
Më 1 mars 2022, gjykatësi Minir Hoti mbajeni mend këtë emër shpall urdhër ndëshkimor: Bulliqi gjobitet vetëm me 500 euro për sulmin në Ambulancë, vepër që parasheh dënim deri me 1 vjet burgim.
1 vit pas aktgjykimit e 2 vjet pasi Bulliqi kishte marrë sërish mandatin e kryetarit e tashmë ishte bërë kohë që i kishte emëruar drejtorët, ai ndërron drejtorin e një drejtorie.
Kishte ardhur koha për larje borxhesh.
Befas në mes të mandatit, në shtator 2023 Bulliqi emëron Lirie Hotin si Drejtore Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
E Lirie Hoti është e bija e gjyqtarit Minir Hoti. Më parë kandidate e AAK-së për asambliste, Lirie Hoti pas emërimit iu bashkua Vetëvendosjes.
Në vitin 2025 merr mandatin e dytë si drejtoreshë në komunë.
Të gjitha këto pozita të fituara pasi babai i saj u tregua zemërgjerë e dorëbutë me Bulliqin duke ia dhënë dënimin minimal për një vepër që meritonte burgim.








