Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u ka dërguar ftesë zyrtare të gjithë delegatëve të Kuvendit të LDK-së për mbledhjen e së shtunës së 31 janarit, ku do të vendosin nëse do ta mbajnë në krye të partisë Abdixhikun apo jo, pasi që ky i fundit ofroi dorëheqjen pas rezultatit të dobët në zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit.
Ftesa e Abdixhikut për delegatët vjen një ditë pasi që Avdullah Hoti shpalli kandidaturën për kryetar të LDK-së, duke thënë se me përgjegjësi të plotë kërkon ta marr barrën e ringritjes së LDK-së.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka thënë se LDK nuk është parti “që frikësohet nga anëtarësia e vet, as nga vota, as nga gara”.
“Vendimet e saj i ka marrë gjithmonë në Kuvend, mes njerëzve të vet, hapur, me debat dhe pa frikë; dhe në fund, me shumicë. Edhe në kohë shumë më të vështira se kjo. Kështu do të veprojmë sërish, këtë të shtunë”, shkroi ai.
Ai theksoi se të shtunën mblidhen për të diskutuar dhe për të vendosur “mbi të gjitha çështjet tona, me vullnet të lirë dhe me votë të lirë, ashtu siç i takon një partie demokratike që respekton anëtarësinë e saj dhe asnjë interes tjetër veç saj”. “Ky është parimi ynë dhe mënyra jonë e veprimit. LDK nuk di ndryshe”.
Koha tani, thotë kreu i LDK-së, “të flasë anëtarësia jonë”. “Nga ky proces do të dalim më të fortë, më të organizuar, më funksional e më të përqendruar te e ardhmja e LDK-së dhe e Kosovës”.

Në një konferencë për media pas rezultateve preeliminare më 28 dhjetor, Abdixhiku mori përgjegjësinë për rezultatin e dobët dhe u shpreh i gatshëm edhe që të jap dorëheqje.
Më pas, ai tha se e ofron dorëheqjen dhe i mbetet Kuvendit të partisë nëse do t’ia pranojë apo jo.
Publikisht, dy anëtarë të Kryesisë Qendrore, Avdullah Hoti dhe Hykmete Bajrami, kanë kërkuar që Abdixhiku të jap dorëheqje të parevokushme.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, LDK-ja mori një nga rezultat me të dobëta në histori, mbi 13 për qind.









