Nga 1 mijë e 815 premtime që kanë dhënë 27 kryetarë të komunave të Kosovës për mandatin 2021-2025, i kanë realizuar vetëm 918.
Kështu ka njoftuar Instituti GAP, ku ka publikuar në platformën elektronike “Letërnjoftimi i Komunave” vlerësimin përfundimtar rreth përmbushjes së premtimeve nga niveli lokal për këtë mandat.
“Nga gjithsej 1,815 premtime që kanë dhënë 27 kryetarë të komunave, për këtë mandat janë përmbushur 918 premtime, ndërsa 234 premtime janë gjysmë të përmbushura, 281 premtime janë të filluara dhe 382 premtime nuk kanë filluar ende së zbatuari”, thuhet në komunikatë.
Ashtu si në mandatin e kaluar (2017-2021), sipas tyre, kur ishin pëmbushur 51% e premtimeve, edhe në mandatin aktual, shkalla e përmbushjes mbetet e njëjtë.
Ata thonë se më së shumti janë përmbushur premtimet në shëndetësi (66%), në arsim (63%), administratë (58%) dhe në fushën sociale (55%).
Më së paku tregojnë se janë realizuar premtimet në urbanizëm (34%), infrastrukturë (37%) dhe në shërbime publike (41%).
“Nga 382 premtimet që nuk kanë filluar të përmbushen, 98% e tyre janë përgjegjësi e nivelit lokal, ndërsa vetëm 2% kërkojnë koordinim ndërinstitucional për t’u realizuar”, kanë thënë nga Instituti GAP.