Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka deklaruar në “Rubikon” të Klan Kosovës se do të kandidojë për kryetare të LDK-së, nëse në parti do të ketë garë të hapur ne 2027-en.

Bajrami tha se e ka kërkuar dorëheqjen e Lumir Abdixhikut, pasi LDK-ja tri herë radhazi ka dalë partia e tretë.

“Me vetë faktin që e kam kërkuar dorëheqjen e Abdixhikut, ne që tri herë dalim partia e tretë, në krye me Abdixhikun, ai ka thënë se e respekton standardin e dorëheqjes”, tha Bajrami.

Ajo theksoi se LDK-ja duhet të bëjë opozitë të vërtetë për t’ia hequr pushtetin absolut Albin Kurtit.

“Republika e Kosovës është në rrezik. LDK-ja duhet me shpëtu Kosovën. Duhet me bo opozitë të vërtetë, në mënyrë që ne t’ia heqim pushtetin absolut Kurtit”, u shpreh ajo.

Bajrami tha se, nëse ka garë të hapur dhe konkurrencë për kreun e partisë, do të garojë për kryetare të LDK-së.

Ajo foli edhe për mundësinë që të jetë kandidate për kryeministre, duke thënë se nuk do ta pranonte një kandidaturë të tillë nëse LDK-në do ta drejtonte dikush tjetër.

Sipas saj, kryetari i partisë duhet të jetë edhe bartës i listës, ndërsa e cilësoi gabim vendimin që Vjosa Osmani të ishte bartëse e listës së LDK-së në zgjedhjet e fundit.