Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion(SPAK), në Shqipëri, ka pezulluar nga detyra shefen e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni. Sipas raportimit të Top Channel, Hyseni “dyshohet për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror”.

SPAK, gjatë kësaj të marte, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe “pezullim nga detyra” për kryespiunen e shtetit shqiptar.

Sipas raportimeve, Hyseni aktualisht është jashtë shtetit.

Hyseni, siç raportojnë mediat në Tiranë, akuzohet për përkrahje e autorit të krimit dhe nxjerrje e sekretit.

Ajo dyshohet se ajo ka favorizuar biznesmenin Ergys Agasi.

Deri më tani, mediat në Shqipëri raportojnë se nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar nga ana e Shërbimit Informativ të Shtetit, se ku ndodhet drejtuesja Hyseni.

Ndaj Hysenit ka një masë arresti në shtëpi. Nëse kalon kërkimi 30 ditor, siç e përcaktojnë procedurat e shtetit shqiptar, emri i saj shpallet në kërkim brenda dhe jashtë vendit.

Vlora Hyseni për një kohë ushtroi edhe pozitën e zëvendësdrejtoreshës së Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Në vitin 2021, me ardhjen e Vetëvendosjes në pushtet, ajo u shkarkua nga pozita.

Dy vjet më vonë, më 2023,  ajo u caktua nga Kryeministri Edi Rama, drejtoreshë në Shërbimin Informativ në Shqipëri.