“Flej rehat zemër, krejt radarët e shtetit i mbyll për ty”.

Ky është një nga mesazhet që Vlora Hyseni, si drejtoreshë e Shërbimit Informativ të Shqipërisë (SHISH), i kishte dërguar biznesmenit Ergys Agasi, gjatë kohës kur ai ishte në kërkim nga autoritetet shqiptare për një çështje korruptive, e njohur si dosja e AKSHIT.

Ky mesazh i Hysenit kishte ardhur pasi që Agasi e kishte pyetur “Shpirt, a ka naj rrezik për djemtë e mi sonte?”.

Sipas materialeve që janë publikuar nga mediat në Tiranë, Hyseni i ka qëndruar besnike Agasit edhe kur ai u vu në kërkim nga institucionet e drejtësisë.

Nga numri me prefiks të Kosovës, Hyseni i shkruante Agasit “Zemër, thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot, të gjithë ne”.

Derisa në një moment, ajo e ndjente se historia mes tyre mund të përfundojë keq. “Do përfundojmë keq, shpirt”, i thoshte Hyseni.

Mediat në Shqipëri raportojnë se në telefonin e sekuestruar në momentin e arrestimit të Ergys Agasit, gjenden në aplikacionin “Signal”, një pafundësi bisedash me zë dhe me video. Madje, në shumë raste Agasi nuk i përgjigjet Hysenit.

Në disa raste, Hyseni, që vazhdimisht i referohej si “shpirt” e “zemër”, i tregon Agasit se cilin numër të telefonit ta përdorë.

“Shpirt mos e përdor atë numrin tjetër sonte se çunat ia kanë çu veshin. Flej rehat. Të du!”, citohet t’i shkruajë Hyseni Agasit.

Në bisedat mes dyshes nuk mungon as informacioni i shefes së SHISH për takime me Ramën. “Po me presin me shku te km…. Jo mo zemër unë një orë nuk rri më shumë me atë”, i shkruan ajo.

Mediat në Tiranë raportojnë se bisedat e kapura në telefonin e Agasit në momentin e arrestimit nga Policia, hedhin poshtë versionin që Hyseni e kishte dhënë në SPAK, kur ishte marrë në pyetje pak ditë përpara se ndaj saj të merrej masa e arrestit shtëpiak.

Ajo kishte pretenduar se Agasin e kishte një agjent të vetin gjë që sipas prokurorëve nuk rezulton të vërtetohet nga shikimi i dokumenteve të institucionit.

Në Gjykatën e Posaçme, këtë të enjte do të mbahet seanca gjyqësore ndaj Hysenit. Ish-kryespiunia do të paraqitet në gjykatë në orën 12:00, për masën e saj të sigurisë.

Të martën, GJKKO ka caktuar “arrest shtëpie” për Vlora Hysenin. Ajo po hetohet për 2 vepra penale – “Nxjerrja e sekretit shtetëror” dhe “Përkrahja e autorit të krimit të organizuar”.