Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka refuzuar kthimin e Fatmir Limajt në listën e kandidatëve të PDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit, thonë burimet e VOX Kosova. Sipas informacioneve që ka siguruar mediumi, kjo çështje është vendosur pa pasur fare votim brenda Kryesisë.

Ishte vetë kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ai që i kishte dërguar një letër kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, përmes së cilës kishte kërkuar që partia e tij të jetë pjesë e listës së përbashkët për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

Sipas letrës së siguruar nga VOX Kosova, Limaj ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim politik dhe elektoral, duke theksuar se “bashkimi opozitar është në interes të qytetarëve dhe të Kosovës”.

Nisma Socialdemokrate ka njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se nuk do të marrë pjesë si e vetme në zgjedhjet e jashtëzakonshme.