Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se Qeveria është duke bllokuar e sabotuar kryeqytetin, derisa ka theksuar edhe mungesën e mbështetjes financiare nga niveli qendror.

“Qeveria, për fat të keq iu qet hi syve të qytetarëve të kryeqytetit, vazhdon me gënjeshtra, vazhdon me sabotazh ndaj kryeqytetit, mirëpo kjo tashmë po shihet. Po them, ne si kryeqytet po vazhdojmë me projekte madhore, derisa ata po vazhdojnë me sabotazh, me bllokada edhe me rrena”, ka thënë Rama për Ekonomia Online.

“Ne kemi diskutu dhe u kemi thënë, eja të bashkëbisedojmë, sepse gjithë këto zhvillime duhet me u bashkërendit, me bashkëbisedu për të mirën e qytetarëve, jo për inate me harxhu fonde të buxhetit të qytetarëve, të cilët paguajnë taksa, pra me i çu kot, me i çu poshtë edhe me i shfrytëzu për bllokada, pra kundër qytetarëve faktikisht, se mua s’më bëjnë kurrgjë. Qytetarët, rininë tonë, të ardhmen tonë po e bllokojnë e po e sabotojnë, jo Përparim Ramën”.

“I kam bërë thirrje Qeverisë që të mendojnë për kryeqytetin, sepse kryeqyteti e paguan gjysmën e buxhetit të gjithë shtetit. Pra, nëse buxheti i shtetit është 4.3 miliardë, Prishtina me qytetarët e vet, e bizneset e veta i paguan nivelit qendror 2.1 miliardë së paku. 2.1 miliardë. Derisa merr mbrapa 161 milionë, ku gati pothuajse gjysma e tyre janë rroga”, tha ai.

Rama theksoi se Qeveria e ka bllokuar edhe projektin e unazës së kryeqytetit.

“E po ashtu, nuk mendohet, pra e dini që ne kemi kërku për unazën, me ndërtu unazën e kryeqytetit tash e pothuajse më shumë se katër vite, sepse është për të mirën jo vetëm të kryeqytetit, por të gjithë Kosovës. E kanë bllokuar këtë proces, e tash pas katër vjete po thonë që e kanë buxhetu”, potencoi ai.

“Në vitin 2021 buxheti, i cili është analizuar prej EBRD-së, prej Bankës për Zhvillimore Evropiane, ka qenë 206 milionë për me e ndërtu unazën. Sa i ka ndarë qeveria? 1 milionë vitin e parë, 10 të dytin, 50 të tretin. Pra, total 61 milionë”, potencoi Rama.

“Unaza duhet me u ndërtu për dy vjet, për 24 muaj, ose më së shumti qe për tre vjet. Pra, duhet me u ndarë së paku 206 milionë që është paraparë qysh në vitin 2021. E duke pasur parasysh që kanë lëvizur çmimet, atëherë duhet me qenë edhe më shumë se 206 milionë”, shtoi.

Rama përmendi edhe projektin e Operës. “Keni parë edhe projektin e tyre me Operan, për shembull, që totalisht e injorojnë këtë platformën, e cila i lidh Pallatin e Rinisë së bashku me Arbërinë. Pra, deri tash në emër të kinse trashëgimisë kulturore neve na kanë blloku, e tash po bëjka me u ndërtu atje një ndërtesë super e madhe, e gjerë që nuk i vyn kryeqytetit aq e gjerë, sepse e kemi sallën koncertale”, theksoi Rama.