Me siguri e keni dëgjuar shprehjen “mos-dija është bekim”, por këto ditët e fundit keni mundur edhe ta shihni se si duket demonstrimi i këtij frazimi në praktikë, derisa iu ka rënë ta dëgjoni intervistën që formalisht e bëri kryeprokuror shteti Zejnulla Gashin.
“A ka mundësi edhe një herë pyetjen? Më fal. I nderum”, tha shpesh Gashi gjatë intervistës.
Por, kjo sekuencë nuk është një moment parehatie i këtij prokurori, por shëmbëlltyra përfaqësuese e krejt intervistës 60 minutëshe.
Për një orë, Zejnulla Gashi pos vetës ka vënë në siklet të gjithë ata që kanë pasur durim ta dëgjonin.
Krejt i paqartë, pa dije elementare për pozitën që e merrte, pa objektiva, pa afate, pa kurrfarë qartësie e vizioni.
Por, në vend që këto mungesa të ishin penalizim që ia pamundëson ta marrë këtë pozitë kaq të rëndësishme në hierarkinë institucionale të Kosovës, me gjasë kjo mosdije ka qenë kualifikimi i nevojshëm dhe pasaporta kaluese për partinë në pushtet.
S’ka nevojë të jesh ekspert i drejtësisë ta kuptosh që Zejnullah Gashi s’është ekspert i drejtësisë.
Hajde e analizojmë pak…
Intervista fillon me karrierën e Gashit, ku i njëjti përvojën 26-vjeçare e lidh me mijëra kallëzime penale të ngritura.
“Me mijëra kallëzime penale kam ngritur” tregon gjatë intervistës.
Mijëra sa? Se mijëra janë edhe 2 mijë edhe 99 mijë?
“Si prokuror e si shef i krimeve ekonomike, kam trajtuar shumë raste të, edhe zyrtarë të lartë kam hetuar. Bile disa kanë marrë edhe epilog sa i përket aktgjykimit dënues”
Shumë raste, shumë zyrtarë, disa raste me epilog. Pa shembuj konkretë, pa emra.
Cilin grup kriminal e keni shkatërruar, Kryeprokuror?
Kush janë zyrtarët? Cilët zyrtarë të lartë qenkan dënuar në bazë të një aktakuze të ngritur nga ju?
Këto pyetje do të duhej të paktën t’ia bënte paneli, por nuk bëhen pyetjet kur zgjedhja është e paracaktuar.
“Ju e dini që kemi pasur disa raste të vrasjeve makabre, të cilat fillimisht nuk kemi pasur asnjë provë, mirëpo pas angazhimit maksimal me menaxhimin tim me prokurorët kemi arritur që ato raste të zbulohen”.
Çdoherë, ose në shumicën e rasteve, në fazën fillestare për krimet e kryera nuk mund të sigurohen menjëherë prova.
Madje, zbulimin e krimeve e bën hetuesia, jo prokurori.
Prokurori drejton veprimet dhe autorizon veprimet.
“Bile të marrin dënimin kapital”
Legjislacioni i Kosovës nuk njeh dënim kapital, zotëri Kryeprokuror. Burgimin e përjetshëm, po.
Dënimi kapital do të thotë dënim me vdekje.
“Prioriteti kryesor i imi është lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, pastaj veprave penale të krimit kibernetik, trafikimit me qenie njerëzore, dhunës në familje dhe veprave të tjera ordinere”
Po me krimet e tjera çfarë do të bëhet? Krimet e luftës? Krimet ekonomike? Armët?
“Asnjëherë në jetën time, as unë as familja ime nuk kemi rënë ndesh kudo që do të cenohej integriteti jo vetëm personal, por edhe institucional”
Përgjigje e pasinqertë dhe e pavërtetë.
Të paktën, aq sa dihet publikisht. Nuk e përmendi as shoqërimin e tij me politikanë në një ndeshje futbolli në Sllovaki, që shumica nga ta kanë qenë ose janë nën hetim, si Faton Peci e Ramiz Lladrovci, disa nga ta edhe të akuzuar, si Agim Ademi e Glauk Konjufca.
Madje, s’e përmendi as rastin e shkuarjes së tij te Albulena Haxhiu në kohën sa ishte në Ministrinë e Drejtësisë.
Më e keqja, përballë për ta intervistuar si pjesë të panelit e kishte Elza Bajramin, që është vartëse e tij në Prokurorinë Themelore.
A nuk është ky konflikt interesi?
Pra, gjatë intervistës kandidati ofron përgjigje të paqarta, me gabime elementare gjuhësore, logjike dhe praktike.
Shumica dërrmuese e përgjigjeve ishin të devijuara dhe jorelevante, pasi që ishin jashtë thelbit të pyetjes.
Nuk ishte as i përqendruar pasi që disa herë kërkoi përsëritje të pyetjeve, edhe pse e kishte mundësinë që të mbante edhe shënime.
Po me gjasë, vendimin për të kandiduar si Kryeprokuror, Zejnulla Gashi e kishte marrë së fundmi, sepse në planet e tij as afatgjata nuk ka qenë.
“Është e vërtetë që ka thashetheme të tilla. Asnjëherë nuk e kam menduar këtë. Kurrë. Për herë të parë, pyetja që po më bëhet dhe përgjigjen po ta jap që asnjëherë nuk e kam menduar”, kishte deklaruar Zejnulla Gashi në një intervistë për Betimi për Drejtësi para tre muajve.








