Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka ashpërsuar tonin ndaj Këshilli Prokurorial i Kosovës, duke paralajmëruar se nuk do të dekretojë asnjë kandidat për Kryeprokuror nëse procesi i përzgjedhjes konsiderohet i komprometuar.
Para mediave, Haxhiu tha se gjatë shqyrtimit të dosjes së propozuar nga Këshilli Prokurorial, ka hasur në një letër që e cilësoi si të pazakontë dhe në kundërshtim me ligjin.
Sipas saj, letra ishte dërguar nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit, Agron Qalaj, drejtuar presidentes Vjosa Osmani.
Haxhiu theksoi se një veprim i tillë tejkalon kompetencat ligjore të ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit.
“Vetëm Këshilli Prokurorial ka të drejtën kushtetuese dhe ligjore për të bërë propozime për këtë çështje”, u shpreh ajo.
Duke e konsideruar të mbyllur procesin aktual, Haxhiu i është drejtuar Këshillit Prokurorial, duke kërkuar që sa më parë të shpallet një konkurs i ri për pozitën e Kryeprokurorit.
Megjithatë, mesazhi i saj më i fortë lidhet me standardin që ajo paralajmëron se do të zbatojë që pati edhe një tonë kërcënues.
“Asnjëherë nuk do të dekretohen persona që kalojnë përmes proceseve të komprometuara apo të përgatitura paraprakisht”, deklaroi ajo, në konferencën pas takimit me partitë politike për datën e zgjedhjeve.








