Këshilli Prokurorial i Kosovës, me përbërje të re, pasi ia “miratoi” kërkesën ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, për fillimin e një procesi të ri për zgjedhjen e Kryeprokurorit, ka dalë me një njoftim si tentim sqarimi se konkursi i ri ka të bëjë me kërkesën e organizmave ndërkombëtarë.
Pasi pushteti aktual, gjatë krejt mandatit të tyre, kundërshtoi zellshëm dekretimin e ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Isufaj, KPK i ka hapur rrugë aplikimit për prokurorët në konkursin e ri të shpallur në takimin e mbajtur më 18 maj 2026, i cili do të jetë i hapur deri më 10 qershor 2026.
Në formë krejt të paqartë, KPK po thotë se procesi i ri nuk do të thotë anulim të konkursit paraprak.
“Ky sqarim nuk përbën anulim të konkursit të vitit 2022, nuk paragjykon asnjë kandidat dhe nuk ndikon në të drejtën e kandidatëve të kualifikuar për të marrë pjesë në procedurën e re të përzgjedhjes”, thuhet në njoftimin e Këshillit.
Kujtojmë që, U.D. Presidentja, Haxhiu, në ditën e caktimit të datës së zgjedhjeve, kishte deklaruar në formë urdhërore se: “Këshilli Prokurorial sa më parë duhet të shpallë konkursin, por duhet të sigurohet që procesi të mos jetë i komprometuar, siç ka ndodhur në të kaluarën, sepse asnjëherë nuk do të dekretohen personat që kalojnë përmes proceseve të komprometuara apo të përgatitura paraprakisht”.









