Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka takuar kongresistë amerikanë, me të cilët ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit.
Isufaj, i cili shoqërohet nga prokurori special, Naim Abazi, janë takuar me Pat Fallon, Zach Nunn, Robert Aderholt dhe John Moolenaar.
Në njoftimin e Sistemit Prokurorial, thuhet se gjatë këtyre takimeve, Isufaj dhe ata që e kanë shoqëruar, “kanë riafirmuar përkushtimin institucional të Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit”.
Gjatë takimeve, theksohet se është diskutuar për sundimin e ligjit në Kosovë, rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe në ngritjen e kapaciteteve.
“Kongresistët amerikanë shprehën mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë dhe përkrahjen konkrete në përpjekjet për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, potencohet aty.









