Arlind Manxhuka do të jetë zëdhënësi i ri i i Qeverisë së Kosovës. Ai do ta pasojë Përparim Kryeziun, i cili këtë pozitë e mbante në Qeverinë Kurti 2. Manxhuka ka qenë zëdhënës i Vetëvendosjes viteve të fundit.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, në mbështetje të nenit 94 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke u bazuar në nenin 9 (1.3), nenin 13 (2 dhe 5) dhe nenin 17 (2) të Ligjit Nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, si dhe nenin 24 (1) të Rregullores (QRK) Nr.04/2026 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Ministrive, nxjerr: Z. Arlind Manxhuka emërohet Zëdhënës i Qeverisë, i cili njëkohësisht është Këshilltar Politik i Kryeministrit”, thuhet në tekstin e vendimit të emërimit të Manxhukës.
Pa pozitë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka lënë as Përparim Kryeziun. Ky i fundit, është emëruar zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit.









