Ky lajm është përditësuar.

Tetë ditë pas dënimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në prag të përvjetorit të tretë të agresionit serb në Banjskë të Zveçanit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriç.

Kurti nuk ka njoftuar fare për këtë takim, por u zbulua nga Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski, i cili publikoi edhe fotografi. Në platformat zyrtare, as Gjuriç s’ka njoftuar.

Takimi ka ndodhur në margjinat e Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ai është organizuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.

Përveç Kurtit, Gjuriç-it e Mickoski-t, aty kanë marrë pjesë edhe Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha dhe ai i Bosnje e Hercegovinës, Elmedin Konakoviç.

Pra, vetëm 8 ditë pasi që Gjykata Speciale dënoi Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin me 81 vjet gjithsej, Kurti takon kryediplomatin serb.

Dhe një ditë para se të shënohet përvjetorit i tretë i sulmit në Basnjë të Zveçanit, ku kishte mbetur i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Për këtë takim, për dallim prej të tjerëve që i ka pasur në New York, Kurti nuk ka njoftuar as në Facebook, as në Instagram, as në X e as në website-in e Zyrës së Kryeministrit, e as nuk kanë dërguar email për mediat.

Shënim:

Pas raportimit të VOX Kosova, Kurti ka shkruar në Facebook për këtë takim.

Ndër të tjera, ai ka treguar se në këtë takim ka thënë se Kosova nuk mund të mbetet “peng” i Serbisë.

“Republika e Kosovës nuk duhet dhe nuk mund të mbetet peng i fqinjit të saj verior, shtetit që mbron e shpërblen kriminelët e këtij shekulli dhe glorifikon të tjerët që kryen krime kundër njerëzimit, krime lufte e gjenocid në fund të shekullit të kaluar, në luftërat e ish-Jugosllavisë. Sikurse, mohon e fsheh krimet dhe refuzon të bashkëpunojë në zbardhjen e të vërtetës për të zhdukurit me dhunë, duke pamundësuar drejtësinë. Ndërsa vijon me shkelje të të drejtave dhe spastrim etnik administrativ ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, shkroi Kurti.