“Urdhërdhënësi ka emër dhe mbiemër”, tha ish-Presidentja Vjosa Osmani për linçimet dhe ofendimet ndaj saja. Urdhërdhënësi, sipas saj, është Kryeministri në detyrë dhe Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti. Madje, u shpreh e sigurt për të, duke iu referuar kohës që ka punuar me Vetëvendosjen dhe “dijenin për metodat e tyre”.

“Asnjë nga sulmet, ofendimet, propagandat, linçimet, manipulimet që janë bërë nga data 6 mars deri sot kundër meje nuk do të bëheshin pa dijeninë e urdhrin e zotit Kurtit. Janë fjalët e tij dhe urdhrat e tij që po zbatohen nga njerëzit e tjerë. Unë as nuk lodhem me i fajësu njerëzit e tjerë”, tha Osmani.

“Me urdha të nivelit më të lartë. E them me përgjegjësi të plotë kam punuar pesë vite me ta dhe e di si i bëjnë këto gjëra”, shtoi.

Sipas ish-Presidentes Osmani, këto veprime, asaj po ia cenojnë dinjitetin njerëzor.

“Unë s’po them që jam pajtuar me sulmet kundër jush, por po them që kjo është e një niveli të paprecedentë të paparë në historinë politike të Kosovës. Bëhen fotografi me intelegjencë artificiale. Gjëra që nuk kanë ndodhur kurrë. Nuk e kanë as nivelin minimal të respektit të dinjitetit njerëzor”, tha Osmani.