Kruja e Shqipërisë po përballet me situatë të vështirë nga zjarri. Policia e Shtetit ka kërkuar nga qytetarët të evakuohen nga shtëpitë e tyre, sepse zjarri ka arritur afër vendbanimeve. Institucionet atje njoftuan se kjo situatë është krijuar nga dora e njeriut dhe se kanë arrestuar të dyshuarin kryesor.

“Orë të vështira në Krujë! Thirrje banorëve të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit për evakuim të menjëhershëm, teksa ne vijojmë betejën me flakët. Jeta dhe siguria juaj janë prioritet mbi gjithçka tjetër”, shkruan në Facebook Policia e Shqipërisë.

Ndërkohë, Ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë tregoi se kjo situatë alarmante është shkaktuar nga dora e njeriut dhe se i dyshuari tashmë është kapur.

“Vijojmë të ndjekim nga afër betejën e vështirë me zjarrin në Krujë, që fatkeqësisht edhe kësaj radhe është shkaktuar nga dora e njeriut. Policia e Shtetit e ka arrestuar tashmë zjarrvënësin dhe ai do të përballet me pasojat e rënda ligjore për këtë vepër penale. Në vijim të kërkesës së pushtetit vendor, strukturat policore kanë marrë masat për evakuimin e pjesshëm të banorëve në afërsi të vatrës së zjarrit. Çdo forcë është në terren dhe çdo mjet është në dispozicion deri në neutralizimin e plotë të rrezikut”, njoftoi Ministri.