Ishte 23 marsi i vitit 1999, kur gazetarja e Boston Globe, Susan Miligan, shkruante në të përditshmen prestigjioze amerikane se atëbotë emisari special amerikan, Richard Holbrooke, “doli me fytyrë të zymtë pas katër orësh bisedimesh me Presidentin jugosllav Slobodan Millosheviç dje, duke raportuar ‘asnjë ndryshim thelbësor’”.

Ballinë e Boston Globe, 23 mars 1999

Mëngjesin e 24 marsit 1999, The New York Times nxorri ballinën “Negociatorët amerikanë largohen, të frustruar nga linja e ashpër e Millosheviçit”, duke lajmëruar kështu dështimin e bisedimeve amerikane për paqe në Kosovë.

“Duke pasur parasysh zgjedhjen midis trupave të NATO-s në Kosovë ose bombave të NATO-s, ai (Millosheviçi) zgjodhi bombat”, citohet të ketë thënë njëri nga negociatorët kryesorë amerikanë që iku nga Beogradi atë ditë.

Ballinë e New York Times, 24 Mars 1999

Pak kush do ta dinte se këto ishin kronikat e fundit para se The New York Times të publikonte titullin senzacional “NATO autorizon sulmet ajrore; Primakov i zemëruar anulon vizitën në SHBA”.

“Presidenti Klinton deklaroi se forca ishte e nevojshme për të ndaluar agresionin e serbëve kundër shqiptarëve etnikë në Kosovë”, shkruante the New York Times.

Ky do të ishte fillimi i 78 ditë fushatë bombardimesh me emrin “Operation Allied Force”.

Ballinë e New York Times, 24 mars 1999

Vetëm 5 ditë pas, më 29 mars 1999 përkatësisht, nisën lajmet për largimin masiv të shqiptarëve për në Shqipëri e Maqedoni.

“Me fshatrat e Kosovës në flakë pas tyre, dhjetëra mijëra shqiptarë etnikë po përndiqen në Shqipëri nga forcat serbe, duke kërcënuar të mbingarkojnë burimet e pakta të këtij vendi dëshpërimisht të varfër dhe përpjekjet e nxituara të punonjësve të ndihmës perëndimore”, shkruante The New York Times.

“Kreu i një misioni vëzhgues evropian tha se të paktën 15,000 njerëz kishin kaluar në Shqipëri deri në mbrëmje, dhe refugjatët që mbërritën folën për një kolonë që shtrihej më shumë se 10 milje prapa, me rreth 150,000 deri në 200,000 në rrugë”.

Ballinë e New York Times, 29 mars 1999

Teksa shqiptarët po përjetonin eksod nga serbët e forcat e këtyre të fundit disfatë nga NATO, pas 78 ditësh, erdhi momenti që The Washington Post të shkruante titullin “Forca Paqësore e NATO-s nxiton në Kosovë”.

Më 12 qershor 1999, “një konvoj i madh automjetesh ushtarake britanike kaloi kufirin në Bllacë, Maqedoni, në orën 5:10 të mëngjesit (23:10 të premten EDT). Trupat ishin në avangardë të asaj që pritet të jetë një forcë ndërkombëtare paqeruajtëse prej 50,000 trupash që do të marrë kontrollin e Kosovës nga ushtria jugosllave dhe forcat policore serbe që po largohen”.

Ballinë e New York Times, 11 qershor 1999

Kështu, Kosova po çlirohej pas vite luftë për liri dhe pavarësi. Në mediat ndërkombëtare qysh moti kishte filluar të ngritej pyetja e së ardhmës së saj. “Pas ‘Spastrimit’ të Kosovës: A mund të bashkëjetojnë ndonjëherë dy palët?”, pyeste The New York Times.