“Prej Ujmanit, në fabrikën në Shkabaj, e në Lismir të Fushë Kosovës”.
Në vitin 1951, në Shqipërinë komuniste, një autobus i prodhimit sovjetik kishte arritur në Bajram Curr, që asokohe quhej Kolgecaj.
Të gjithë banorët kishin dalë ta shihnin me entuziazëm dhe e preknin si të ishte një objekt nga një botë tjetër.
Kjo ngjarje ishte pjesë e kronikave propagandistike të komunizmit, për gjoja një Shqipëri të zhvilluar.
Kaq qesharake tingëlloi të mërkurën një kronikë e pushtetit në Kosovë.
Ministri i Bujqësisë dhe kryetari i komunës, të rrethuar nga stafi, po e inauguronin me pompozitet një kanal ujitës për fshatin Lupç të Podujevës.
Por ironia është se ky pushtet, madhështor në propagandë, nuk po arrin ta përfundojë tash e 6 vjet autostradën që lidh Podujevën me Prishtinën, për shkak se ka ngecur në disa ura krejt modeste.
Koleksioni propagandistik qesharak i qeverisë së Albin Kurtit nuk fillon dhe mbaron në Lupç.
Në vend të projekteve të mëdha që u realizuan dikur me shumë më pak buxhet, si autostradat që lidhin me Shqipërinë e Maqedoninë, aeroporti, mijëra rrugë e qindra shkolla, themelimi i diplomacisë e ushtrisë, ky pushtet, që nuk realizoi asgjë çka premtoi në vitin 2021, po i jep popullit tregime groteske, që ilustrojnë më së miri faktin se pse Kosova është vendi i dytë më i varfër në Evropë, e i fundit për nga niveli i arsimit.
Urat 7-8 metra të fshatrave, si dhe të tjera që s’përfundojnë me muaj e vite, janë trashëgimia e fortë e projekteve të qeverisë së Vetëvendosjes, që ka administruar me një buxhet prej rreth 20 miliardë euro.
Si historia e autobusit në Bajram Curr, në Staradran të Istogut, në dhjetor të vitit 2022, doli gati krejt fshati, bashkë me udhëheqjen komunale, për ta pritur Kryeministrin Kurti.
Një urë 8-9 metra, që nuk çonte askund, po përurohej si investim i qeverisë.
Dhe ngjashëm, ironia vazhdon.
Kjo qeveri dhjetëra miliardëshe nuk po arrin ta përfundojë tash e 6 vjet autostradën që lidh Prishtinën me komunat e Dukagjinit.
Në teatrin e propagandës hyri edhe një çezmë me rrjetin e ujësjellësit në Lismir të Fushë Kosovës, ku, për prerjen e shiritit, Kurti zbarkoi i shoqëruar me ministra e një armatë funksionarësh.
Një tjetër urë është kronikë historike e këtij pushteti.
Albin Kurti nuk ua ndërtoi gjilanasve autostradën për Prishtinë, e as stadiumin e qytetit.
Megjithatë, në rrugën Prishtinë–Gjilan, arriti ta përfundojë urën te Liqeni i Badovcit, diku 38 metra të gjatë e mbi 7 metra të lartë.
Punimet zgjatën 12 muaj, një shpejtësi që, me shumë gjasë, do ta xhelozonin edhe japonezët.
Për këtë projekt, Kurti nuk preu fare shirit.
Por shiritin e preu dy herë për rrugën e njëjtë, autostradën Prishtinë–Mitrovicë, që s’ka përfunduar ende dhe, me siguri të plotë, s’do të përfundojë as këtë vit.
Një pushtet si ky i Albin Kurtit, që nuk arrin ta largojë as një copë dheu nga rruga – edhe me lajmet për aksidente fatale nga ai vend – imagjinojeni, a është në gjendje të ndërtojë hekurudha me lidhje rajonale, diga ujore, aeroporte apo aviokompani.
Krejt çka di kjo mendësi janë disa kronika për inaugurimin e disa urave që nuk çojnë askund dhe 100 euro në kohë fushatash, që nuk zhvillojnë asgjë.








