Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka folur për rritjen e importit të energjisë elektrike, kostoja e së cilës, sipas tij, po bie mbi qytetarët e Kosovës, derisa ka vlerësuar se për këtë fajtore është Qeveria aktuale.

Përmes një postimi në Facebook, Shala tha se nga viti 2019 deri në vitin 2025, Kosova ka parë një rritje të madhe të varësisë nga importi i energjisë elektrike. “Shpenzimet për import janë rritur nga rreth 50 milionë euro në vitin 2019, në mbi 168 milionë euro në vitin 2024”.

Sipas tij, edhe sasia e energjisë së importuar është rritur dukshëm: “nga 890 mijë MWh në vitin 2019 në mbi 1.3 milionë MWh në vitin 2024”.

“Këto shifra nuk janë rastësi. Ato janë pasojë e performancës së dobët të prodhimit vendor, sidomos të termocentraleve të KEK-ut, të cilat vazhdimisht përballen me rënie të njësive, riparime të stërzgjatura dhe efikasitet të ulët”, pohoi ai.

Çdo mungesë në prodhim, thekson ai, “duhet mbuluar me import, shpesh me çmime të larta, duke krijuar hapësirë për përfitime të ndërmjetësve dhe tregtarëve”.

“Në fund, barrën e paguajnë qytetarët, përmes rritjes së tarifave të aprovuara nga ZRRE. Një situatë e tillë nuk ndodh pa koordinim institucional, me Qeverinë e Republikës së Kosovës si përgjegjëse direkte”, shtoi ai.

Kjo krizë, sipas tij, e krijuar nga “keqqeverisja aktuale” i bën të domosdoshme më shumë se kurrë më parë disa masa.

“Investime të qëndrueshme në kapacitete të reja prodhuese; Përmirësim të menaxhimit dhe llogaridhënies në KEK; Zbatim të plotë të detyrimeve ligjore në planifikimin energjetik”, konsideron ai.

Këto masa duhen marrë, për shkak se, siç thotë ai, siguria energjetike është themeli i stabilitetit ekonomik.

“Sa më shpejt të largohet nga pushteti ky mentalitet që bllokon zhvillimin e projekteve të reja, aq më shpejt qytetarët do të kenë furnizim të qëndrueshëm, siguri energjetike dhe çmime të përballueshme”.