Vlora Çitaku, Sekretare e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, ka reaguar pas dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërbërjen e Kuvendit, duke i atribuuar përgjegjësinë e zgjedhjeve të reja Lëvizjes Vetëvendosjes apo siç thotë ajo egove të tyre politike dhe ambicies për kontroll total të institucioneve.

“Egot politike dhe ambicia e shfrenuar për kontroll total të institucioneve nga LVV po e lënë Kosovën sërish pa institucione dhe po e shtyjnë vendin drejt një cikli tjetër zgjedhjesh”, ka thënë Çitaku.

Çitaku e ka lënë VV-në fajtore edhe për shkak se sipas saj kjo parti ka refuzuar marrëveshje dhe dialog të sinqertë politik.

“Adresa e përgjegjësisë është e qartë kristal: refuzimi i LVV-së për marrëveshje dhe për dialog të sinqertë politik”, ka potencuar Ish-Ministrja e Integrimeve Evropiane.

Çitaku ka thënë se akterët e Vetëvendosjes duhet të ndihen të turpëruar kur bëjnë homazhe tek varrezat e heronjve të vendit dhe se liria e Republika e Kosovës nuk guxojnë të shpërdorohen.

“Sot, kur të shkojnë e të bëjnë homazhe aty ku pushojnë heronjtë tanë, duhet të ndihen të turpëruar. Është luftuar shumë dhe gjatë që qytetarët tanë të kenë të drejtën të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të jetojnë të lirë. Kjo liri dhe kjo Republikë nuk guxojnë të shpërdorohen”, ka përfunduar Çitaku në një postim në llogarinë e saj në Facebook.