Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, sipas deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha, po e mban vendin në krizë me moskonstituimin e Kuvendit, për shkak se kështu, thotë ajo, po i ik llogaridhënies.
“Një nga çështjet që mund ta them është se Kurti qëllimshëm nuk e bën pikërisht për këtë. I konvenon të mos ketë llogaridhënie. Vetëm shiheni se çfarë po ndodh në secilin sektor. Nepotizëm i paparë. Kontratat njëburimore po vazhdojnë. Cenim i prodhuesve dhe bizneseve vendore. Çështje të shumta që ne nuk kemi mundësi t’i adresojmë në Kuvend. Aty është vendi jonë ku ne duhet ta bëjmë punën tonë dhe adresimin e shqetësimeve të qytetarëve pavarësisht pozicionit që ata e kanë dhe rolit që e luajnë në këtë shoqëri”, tha Hoxha për VOX Kosova.
Ajo insiston se deputetët e zgjedhur “duhet ta ushtrojmë mandatin tonë dhe duhet ta bëjmë punë tonë në Kuvendin e Kosovës”. “Aty merren vendimet. Aty ngritën shqetësimet e qytetarëve. Aty bëhen hetimet parlamentare. Aty kërkohet llogaria nga Qeveria qoftë ne detyrë e qoftë ajo e reja që do të vijë për atë se çfarë bëjnë ose nuk bëjnë në të mirë të Kosovës”.
Sipas saj, Kurti qëllimshëm nuk po e propozon Kryetarin e Kuvendit dhe qëllimshëm nuk po e ushtron besimin që populli ia ka dhënë.
“Nëse populli i ka dhënë besim si partia e parë, me më shumë ulëse në Kuvendin e Kosovës, ai qëllimshëm, nuk e jep emrin e Kryetarit ose Kryetares së Kuvendit, i cili i takon si propozim partisë me më së shumti vota”.
“Domethënë qëllimshëm nuk është duke ushtruar besimin që ia ka dhënë populli. Dhe qëllimshëm në të njëjtën kohë është duke ndejtur si Kryeministër në detyrë prapë duke shkelur ligjin dhe duke cenuar rendin kushtetues”, shtoi.
Kjo, në gjykimin e saj, “e dëmton procesin”. “Sepse, e para e punës nuk mund ta detyrosh asnjë deputet në idenë e marrëveshjeve politike për Presidentit dhe të mos e konstituosh Kuvendin. Mandati i deputeti është i lirë. Dhe obligimi ynë parësor kur zgjidhemi deputet, është me konstitu institucionin në të cilin ne duhet ta ushtrojmë mandatin tonë kushtetues dhe ta bartim atë çfarë populli na ka dhënë si besim. Brengat e tyre, shqetësimet e tyre dhe përmirësimin e jetës së tyre përmes Kuvendit të Kosovës dhe normalisht llogaridhënia e cila që dy vite mungon në Kuvend”.









