Kosova e nisi javën me tri kriza paralele, të cilat japin një pamje të zymtë të funksionimit të institucioneve publike: ndalimi i trafikut urban në Prishtinë, greva e përgjithshme në Radio Televizionin e Kosovës dhe alarmi për kushte të rënda pune në Minierën e Trepçës.

Të dielën, në një konferencë për media, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, njoftoi se transporti publik do të ndalet për shkak të “bllokimit të të hyrave vetanake nga Qeveria”. Të hënën, autobusët urbanë mbetën në depot e Trafikut Urban, ndërsa mijëra qytetarë u detyruan të kërkonin alternativa për të lëvizur në kryeqytet.

Punëtorët e trafikut urban kanë protestuar sot. Fillimisht ata u mblodhën para objektit të Komunës së Prishtinës dhe, pasi që iu bashkua Kryetari Rama, së bashku shkuan për të protestuar para ndërtesës së Qeverisë.

Rama ka kërkuar nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, që ta zhbllokojnë buxhetin e kryeqytetit.

“I lutem Kryeministrit dhe ministrit t’i ndalin këto lojëra, zgjedhjet janë kryer. Do të jem edhe katër vjet, fondet janë tonat, janë të kryeqytetit, bazuar në ligj janë të detyruar Qeveria, Ministria me i transferu ato fonde. Po bllokojnë jashtëligjshëm”, deklaroi Rama.

Përparim Rama së bashku me punonjësit e Trafikut Urban duke protestuar.

Kriza nuk u ndal me kaq. Në orën 11:00, punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës hynë në grevë të përgjithshme, për shkak të mosekzekutimit të pagave tash e 24 ditë. Greva do të zhvillohet çdo ditë nga ora 11:00 deri në 13:00. Në studiot e lajmeve u panë pankarta me mbishkrimet “Greva është zëri ynë”, “Pa paga s’ka punë” dhe “Rrogën tonë e kërkojmë”.

Punëtorët e RTK-së duke protestuar.

Ndërkohë, një paralajmërim tjetër i rëndë erdhi nga Miniera e Trepçës. Sindikata e Minatorëve njoftoi se situata aty ka arritur në pikën “ku nuk mund të heshtet më”. Sipas tyre, minatorët po punojnë me pajisje të vjetruara që rrezikojnë jetën çdo ditë, ndërsa thonë se shumë punëtorë tashmë kanë pësuar dëmtime të përhershme shëndetësore.

“Kjo situatë nuk mund të vazhdojë kështu. Investimet në Trepçë nuk janë dëshirë, janë domosdoshmëri. Ne i bëjmë thirrje qeverisë së re, kujtdo që do të marrë përgjegjësinë pas zgjedhjeve, të kthejë vëmendjen kah minierat”, thuhet në reagimin e sindikatës.

E hëna në Kosovë tregoi një panoramë të qartë: një infrastrukturë publike që e ka kapluar një krizë e thellë – nga transporti e media publike, deri te minatorët që punojnë në kushte të rënda. Tri sinjale të qarta se krizat sociale dhe institucionale po kumulojnë.