Pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025, Kosova është duke kaluar në një periudhë të bllokimit politik tash e disa muaj. 5 muaj pas zgjedhjeve, Kuvendi ende nuk është konstituuar. Procesi është bllokuar në zgjedhjen e kryetarit. Gjatë kësaj kohe janë zhvilluar 40 seanca parlamentare – të gjitha kanë dështuar – janë zhvilluar takime mes partive politike, presidentja po ashtu ka thirrur në takime akterët politikë, është dërguar një lëndë në Gjykatën Kushtetuese, është publikuar aktvendimi dhe ka paralajmërime se do të ketë sërish punë për Kushtetuesen.
Përfaqësues të partive opozitare – PDK, LDK e AAK – e kanë fajësuar vazhdimisht VV-në për bllokadën e krijuar. VV ka propozuar Albulena Haxhiun si kandidate për Kryetare të Kuvendit, e cila nuk po i merr votat e nevojshme për të marrë drejtimin e legjislativit. Opozita nga ana tjetër e ka bërë të qartë se nuk do ta përkrahin kandidaturën e Ministres në detyrë të Drejtësisë.
Që nga mbajtja e seancës së parë konstituive më 15 prill, janë mbajtur 40 seanca për këtë proces, mirëpo pavarësisht kësaj partitë politike nuk kanë arritur të zgjedhin kreun e legjislativit.
Pasi që Haxhiu nuk u zgjodh me votim të hapur pas disa tentativash, VV, duke pasur kryesuesin e seancës nga radhët e tyre, provoi që ta ndërrojë mënyrën e votimit. Nga i hapur në të fshehtë. Mirëpo, nuk gjeti përkrahje nga opozita. Madje, AAK-ja, më 12 maj, e dërgoi këtë çështje në Kushtetuese.
Edhe pse u mendua se Kushtetuesja do t’i jepte zgjidhje këtij ngërçi, kështu nuk ndodhi. Vendimi që u publikua më 26 qershor, ndonëse i njëjtë, u interpretua ndryshe nga VV dhe ndryshe nga opozita.
Kushtetuesja u dha afat 30 ditë partive politike që ta konstituojnë Kuvendin. Kundërshtime pati sa i përket procesit të votimit të fshehtë. Pushteti thekson se Kushtetuesja nuk e shpalli anti-kushtetues këtë proces, derisa opozita vlerëson se e shpalli anti-kushtetues.
Në këtë drejtim, opozita – PDK dhe LDK – kanë paralajmëruar se përsëri do t’i drejtohen Kushtetueses për ta sqaruar vendimin e saj, pasi po pretendojnë se është keqlexuar nga partia më e madhe. Nga ana tjetër, VV ka paralajmëruar se do t’i drejtohen po ashtu Kushtetueses në lidhje me mos pjesëmarrjen e opozitës në procesin e themelimit të Komisionit për Votim të Fshehtë.
Përveç çështjeve Kushtetuese, paralelisht ka pasur edhe ftesa për takime nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ftesa për koalicione, ftesa nga presidentja, por që të gjitha kanë përfunduar pa sukses.
Fillimisht, pasi po dështonte për ta zgjedhur Haxhiun si kryetare të Kuvendit, Kurti u bëri ftesë partive politike për takim në funksion të zgjidhjes së ngërçit. Kësaj ftese iu kishte përgjigjur pozitivisht vetëm Memli Krasniqi. Takimi kishte ndodhur më 1 maj, por pa ndonjë rezultat.
Përveç ftesave për takim, Kurti kishte dërguar edhe ftesa për koalicion. Këtë ia kishte bërë LDK-së, më 5 maj. Përgjigja do ishte e shpejtë. Vetëm pas një dite. Kërkesa u refuzua. Në vend të kësaj, LDK propozoi formimin e një qeverie të unitetit kombëtar, madje u propozuan edhe 15 pikat se si do të dukej kjo qeveri. Por, u refuzua. Nuk gjeti mbështetje te akterët politikë.
Derisa ngërçi po vazhdonte, në lojë hyri edhe Presidentja Vjosa Osmani. Ajo ftoi përfaqësuesit e partive politike për një takim konsultativ. Ftesa u pranua. Më 15 maj, Kurti, Krasniqi, Abdixhiku dhe Haradinaj i shkuan në zyrë të parës së shtetit. Përsëri s’pati rezultat.
“Nuk ka pajtim për konstituimin e Kuvendit, vullnet po”, tha Osmani në një konferencë për media pas takimit.
Publikimi i vendimit nga Kushtetuesja, ku kërkoi nga partitë politike, ndër të tjera, që të bëjnë një marrëveshje kompromisi për kreun e Kuvendit. Përgjegjësinë më të madhe ia la VV-së, e cila e ka të drejtën ekskluzive që të propozojë kandidatin për kryetar.
Në këtë kontekst, Kurti ftoi në takim të gjithë përfaqësuesit e partive politike që janë pjesë e parlamentit, më 27 qershor. Të gjitha partitë e pranuan. Më 29 qershor u mbajt takimi. Palët, të cilat tashmë e kishin interpretuar aktgjykimin sipas dëshirës së tyre, dolën nga takimi me pozicionet që kishin hyrë.
Në këtë situatë, përsëri ndërhyri presidentja. Osmani ftoi në takim krerët e partive politike. Ndryshe nga hera e kaluar, kësaj radhe i takoi veç e veç.
I pari që e takoi presidenten sot ishte Kurti. Më pas Krasniqi e Abdixhiku, për të përfunduar me Haradinajn.
Deri më tani nuk dihet nëse është arritur ndonjë progres si rezultat i këtyre takimeve.
Takimet e Presidentes nuk do të përfundojnë me kaq. Ajo edhe të enjten do të pres në zyrë përfaqësues të partive politike të minoriteteve.
Mos konstitumi i Kuvendit nuk është duke kaluar pa pasoja. Sipas Ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, janë 90 milionë euro të alokuara nga Banka Botërore për Kosovën, të cilat po presin ratifikimin nga Kuvendi që nga muaji maj i vitit të kaluar.
Ai ka paralajmëruar se nëse marrëveshja për 90 milionë me kamatë 0 për qind, nuk ratifikohet deri në shtator, ekziston rreziku shumë i lartë që këto mjete t’i merren Kosovës dhe t’i jepen një shteti tjetër.