Nuk ka asnjë nënshkrim të deponuar për thirrjen e Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për shkarkimin e Kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Ilir Ferati.

Porsa të ketë diçka të tillë, Ferati theksoi se do ta trajtojnë me seriozitetin më të madh.

“Deri më tani nuk ka asnjë nënshkrim të deponuar. Në momentin që ka kërkesa brenda për brenda organeve të LDK-së sigurisht që me urgjencë e me seriozitet të madh do të trajtohen prej neve si parti dhe kanë me u shqyrtu…”, tha Ferati në një prononcim për media nga selia qendrore e LDK-së në Prishtinë të martën.

Ferati theksoi se Abdixhiku është i gatshëm që të votëbesohet në Kuvendin e LDK-së nëse ka nënshkrime për këtë, derisa e vlerësoi atë për, siç tha ai, respektimin e vazhdueshëm të procedurave statusore.

“Për momentin, nuk ka numër, as nuk ka nënshkrime të deponuara brenda zyrës së LDK-së. Ne jemi të gatshëm me i trajtuar dhe normalisht me dal deri në Kuvend Kryetari Abdixhiku, nuk është hera e parë, sigurisht nuk do të jetë as hera e fundit, i ka tri kuvende që i ka kalu me votë të fshehtë edhe absolutisht aspak nuk është që iu ik procedurave statusore të LDK-së dhe është një prej kryetarëve që e ka kultivuar vazhdimisht demokracinë brenda LDK-së…”, deklaroi ai ndër të tjera.

Pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit, ku LDK-ja mori rreth 17 për qind, apo 18 deputetë, disa degë të kësaj partie, si ajo e Pejës, Lipjanit dhe Rahovecit, por edhe disa figura të rëndësishme të partisë, si Hykmete Bajrami dhe Avdullah Hoti, i kërkuan dorëheqjen e Abdixhikut.

Nga ana tjetër, Abdixhiku u tregua i prerë se nuk e ka ndërmend largimin e tij, derisa filloi sulmet ndaj kritikëve.