Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka komentuar zhvillimet e fundit në lidhje me krijimin e qeverisë së re me të mandatuarin e ri Glauk Konjufcën, i cili është numri dy i Lëvizjes Vetëvendosje. Në intervistën e dhënë për televizionin lokal të Gjakovës, Syri Vision, Kurti ka deklaruar se opozita e ka në dorë nëse zgjedhjet mbahen në dhjetor apo në prill.

Kurti ka thënë se mos-votimi i qeverisë Konjufca do të rezultojë me zgjedhje në dhjetor të këtij viti, ndërsa në rast të votimit të saj, zgjedhjet do të shtyhen për në prill, kur edhe anticipohet krizë e re parlamentare për zgjedhjen e presidentit.

“Opozita e ka në dorë që ta zgjedh rrugën e mëtutjeshme. Ose Kurti 2.5 drejt zgjedhjeve në dhjetor, ose Konjufca 1 drejt zgjedhjeve në prill. Cilado për ne është e pranueshme”, ka thënë Kurti.