Ish-Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se keqmenaxhimi i sektorit të energjisë elektrike “po i kthehet qytetarëve si ndëshkim kolektiv”. Përgjegjësia, sipas tij, është politike.
Këto komente, Hoti i bëri përmes një postimi në Facebook, pas reduktimeve të energjisë elektrike të mërkurën, të cilat sipas njoftimit të KOSTT-it do të vazhdojnë edhe të enjten.
“Keqmenaxhimi i sektorit të energjisë elektrike po i kthehet qytetarëve si ndëshkim kolektiv. Pas viteve të humbura pa investime, pa planifikim dhe pa përgjegjësi, KOSTT del me njoftime për reduktime të energjisë”, shkroi Hoti.
Për Hotin, “është e papranueshme që në 2026 qytetarët dhe bizneset të përballen me ndërprerje të rrymës për shkak të dështimeve të atyre që kanë pasur pushtetin dhe buxhetin në dorë”. “Askush nuk mund të fshihet pas njoftimeve teknike, kur përgjegjësia është politike dhe direkte”, shtoi.
Energjia nuk është luks, thekson ai, “është e drejtë themelore”. “Çdo reduktim është dëshmi e qartë e keqmenaxhimit, mungesës së vizionit dhe neglizhencës ndaj interesit publik”.
“Qytetarët po paguajnë çmimin e dështimit të kësaj qeverie me errësirë, me dëme ekonomike dhe me pasiguri”.









