Komanda e lartë e përbashkët ushtarake e Iranit ka njoftuar se Ngushtica e Hormuzit është mbyllur sërish, pasi ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për shkelje të një marrëveshjeje armëpushimi.
Kjo vjen në një kohë kur Izraeli vazhdoi sulmet në Libanin jugor, pavarësisht një marrëveshjeje armëpushimi mes Izraelit dhe grupit militant Hezbollah, e cila supozohej të hynte në fuqi dje në orën 14:00 sipas kohës së Mbretërisë së Bashkuar.
Komanda ushtarake thotë se Ngushtica e Hormuzit, një rrugë kyçe ndërkombëtare e transportit detar, është mbyllur për shkak të asaj që e cilëson si “shkelje të qartë të besimit dhe mosrespektim të zotimit” nga ana e SHBA-së ndaj pikës së parë të një memorandumi mirëkuptimi (MOU), i cili synonte t’i jepte fund luftës me Iranin.
Komanda përmendi gjithashtu sulmet izraelite në Liban si arsye për mbylljen e kësaj rruge ujore, përmes së cilës normalisht kalon rreth një e pesta e furnizimeve botërore me naftë dhe gaz.
Paragrafi i parë i memorandumit i referohet “ndërprerjes së menjëhershme dhe të përhershme të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë Libanin”.
Izraeli, i cili po zhvillon operacione kundër Hezbollahut të mbështetur nga Irani, ka këmbëngulur se do të vazhdojë ta mbajë nën kontroll Libanin jugor.
Deklarata e transmetuar në televizionin shtetëror nga komanda e përbashkët ushtarake paralajmëroi gjithashtu se “nëse agresioni vazhdon, janë planifikuar hapa të mëtejshëm”.
Anijet kishin nisur sërish të kalonin nëpër Ngushticën e Hormuzit pasi marrëveshja e përkohshme SHBA–Iran ishte nënshkruar më herët gjatë javës.
Ndërkohë, zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, deklaroi për Fox News se nuk kishte asnjë provë që Teherani po e mbyllte Ngushticën e Hormuzit.
Vance tha se bisedimet me Iranin po ecnin mirë dhe se ishte i bindur që armëpushimi mund të ruhej. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara do t’i jepnin një mundësi negociatave dhe konfirmoi se Steve Witkoff dhe Jared Kushner ndodheshin në Zvicër, të gatshëm për zhvillimin e bisedimeve.









