Gjykata Speciale ka shkruar të mërkurën në llogarinë e saj në rrjetet sociale për mënyrën e përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe, siç pretendon gjykata, paanshmërinë në punë.

“Pavarësia dhe paanshmëria e gjyqtarëve garantohen në procedurat para Dhomave të Specializuara të Kosovës. Të gjithë kandidatët vlerësohen nga një Panel i Pavarur i Përzgjedhjes, për të siguruar përzgjedhjen e gjyqtarëve me profesionalizëm të lartë dhe të pavarur, të cilët përmbushin standardet e paanshmërisë dhe integritetit të përcaktuara me ligj”, ka shkruar Specialja, tekst të cilin e ka shoqëruar edhe me një video të zëdhënëses Angela Griep.

The independence and impartiality of the Judges is ensured in proceedings before the KSC. All candidates are assessed by an independent Selection Panel, to ensure the selection of highly professional and independent Judges who meet the impartiality and integrity standards set by… pic.twitter.com/g9HiOHyvf7

— Kosovo Specialist Chambers (@SpecialChambers) July 8, 2026

Gjykata është aktivizuar me video e deklarata tek pasi një raport i ekspertëve britanikë ka gjetur një varg shkeljesh në punën e saj, që lidhen me transparencën, administrimin e provave, barazinë e palëve dhe perceptimin politik.

Ky postim i Speciales, megjithatë, ka marrë një përgjigje nga Luka Misetic, avokat i Hashim Thaçit.

“Për gjyqtarët e Dhomave të Specializuara të Kosovës, perceptimi është po aq i rëndësishëm sa edhe realiteti”, ka shkruar ai.

Misetic ka përmendur se Kodi i Etikës Gjyqësore “nuk kërkon vetëm paanshmëri reale, por vendos edhe një detyrim të veçantë e të rreptë që ata të ruajnë gjithmonë edhe pamjen e paanshmërisë”.

For judges at the Kosovo Specialist Chambers, perception is just as important as reality.
Article 4 of their Code of Judicial Ethics doesn't just require actual impartiality—it enforces a separate, strict obligation to always maintain the appearance of it. https://t.co/kFCtWafHiW pic.twitter.com/bHjDKbbam8

— Luka Misetic (@MiseticLaw) July 8, 2026

Neni 4 i këtij Kodi shprehimisht thotë:

“(1) Gjyqtarët duhet t’i ushtrojnë funksionet e tyre në mënyrë të paanshme dhe të sigurojnë edhe pamjen e paanshmërisë. (2) Gjyqtarët duhet të shmangin çdo konflikt interesi, si dhe çdo situatë që mund të perceptohet në mënyrë të arsyeshme se krijon konflikt interesi”.

Për gjyqtarët në rastin e krerëve të UÇK-së ekziston një vlerësim, si nga ekspertët britanikë, ashtu edhe nga vrojtues të tjerë, se kanë qenë më në favor të Prokurorisë.

Ata, në shumë raste, janë përpjekur t’i orientojnë dëshmitarët me pyetje sugjestive, kanë përdorur më shumë kohë se ekipet mbrojtëse dhe pyetjet kanë qenë të asaj natyre, që kanë detyruar mbrojtjen të shpenzojë edhe më shumë kohë për të sqaruar çështjet e ngritura prej tyre.