Dorëheqja e qeverisë së Bullgarisë këtë të enjte përfundoi një koalicion që për bullgarët, çdo herë e më shumë, dukej si i papërshtatshëm. Mirëpo, ky zhvillim mund ta shtyjë vendin në një periudhë të re jostabiliteti politik, në vigjilje të hyrjes së Bullgarisë në eurozonë.

Shteti anëtar i NATO-s dhe BE-së ka mbajtur shtatë zgjedhje nacionale në katër vitet e fundit pasi asnjë nga qeveritë nuk arriti të mbajë në kontrollë parlamentin e ndarë.

Qeveria në ikje, që udhëheq ekzekutivin bullgar qysh nga janari, ishte përpjekur të mbikëqyrte tranzicionin në euro që do të ndodhë më 1 janar, por kryeministri Rosen Zhelyazkov dorëzoi dorëheqjen e qeverisë së tij pas javësh protesta kundër korrupsionit dhe buxhetit të ri, i cili pritej të rriste taksat.

Edhe presidenti bullgar, Rumen Radev, kryetari kryesisht ceremional i shtetit, i kishte bërë thirrje Zhelyazkov të jepte dorëheqje.

Reagimi i protestuesve ishte i shurdhër pas dorëheqjes, ndonëse disa nga njerëzit në turmë ishin optimistë në një pikë: qeveria kishte dëgjuar protestuesit.

“Ka qenë çështje kohe. Sigurisht, ka njerëz senzibil në parlament që do të vijnë me diçka me kuptim dhe do të vendosin një përfundim për abuzimet që kemi parë”, tha një nga qytetarët.

Por Bullgaria do të mund të përballet me një cikël të gjatë zgjedhjesh nëse nuk krijohet një qeveri e re.

“Ka një rrezik të madh që ne të përfundojmë në një seri tjetër zgjedhjesh”, tha Dimitar Markov, Drejtor në Programin Ligjor në Qendrën për Studime të Demokracisë në Sofia.