“Ajo çfarë kemi parë në 5 vite të Qeverisë së VV-së, kemi pa shpenzim të taksave të qytetarëve për blerje të votave dhe blerje të paqes sociale”, tha deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, në seancën për shqyrtimin e buxhetit për vitin 2026.

Bajrami argumentoi këtë, duke iu referuar të dhënave nga Ministria e Financave.

Në vitin 2021, ajo tha se shpenzimet kapitale kanë qenë 419 milionë, ndërkohë subvencionet dhe transferet 817 milionë, qind për qind më shumë.

“Në vitin 2022, shpenzimet kapitale 419 milionë, subvencionet dhe transferet 1 miliard e 37 milionë. Në vitin 2023, shpenzimet kapitale 550 milionë, subvencionet dhe transferet 1 miliard e 47 milionë”, shtoi.

Në vitin 2024, tha se shpenzimet kapitale kanë qenë 660 milionë, ndërsa subvencionet dhe transferet 1 miliard e 79 milionë.

“Në vitin 2025, siç i dha kryeministri shifrat tha shpenzimet kapitale janë 720 milionë, besoni apo jo, sipas këtyre shifrave i bjen që vetëm në muajin dhjetor gjatë fushatës elektorale ka arritur që t’i shpenzojë plotë 240 milionë euro shpenzime kapitale”.

“Merreni me mend”, kërkoi ajo, “fushatën, merrni me mend temperaturat e ulëta, domethënë Qeveria arrin me i shpenzu në muajin dhjetor 240 milionë”.

Këto, sipas saj, janë “kontrata njëburimore, janë paradhënie komplet për financim të fushatës elektorale, janë korrupsion”.

“Sepse i vetmi indikator që në Kosovë përpos inflacionit ka pasë ngritje gjatë kësaj kohe janë kontratat njëburimore dhe është korrupsioni pandemik qeveritar”.