Më 1 shtator, duke filluar nga ora 11:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, Asociacioni i Komunave të Kosovës do të protestojë, për siç thanë ata, ndërhyrjet e nivelit qendror, në këtë rast Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, në kompetencat e komunave. Nga AKK-ja kanë thënë se Komunat janë në një “falementim funksional”.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, njëherit edhe Kryetar i AKK-së, ka thënë se ata komunat po kërkojnë respektim të ligjeve dhe kompetencave që atyre u takojnë.
“Komunat nuk janë duke kërkuar privilegje. Komunat po e kërkojnë atë që u takon qytetarëve të Republikës, që përfaqësohen përmes kryetarëve të komunave në nivel komunal. Pra, kërkojmë që të zbatohen ligjet, kërkojmë që të mos ndërhyhet në kompetencat e kryetarëve, respektivisht të komunave të Kosovës, si dhe të kenë trajtim të drejtë dhe institucional”, tha Aliu në një konferencë për media.
Protesta e 1 shtatorit, Aliu theksoi se është hapi i parë, derisa bëri me dije që Kurtin nuk e kanë takuar që 2 vjet.
“Duhet ta keni parasysh që ne ka dy vite që nuk e kemi takuar kryeministrin, në cilësi të ndryshme, qoftë si Kryeministër, qoftë si Kryeministër në detyrë të Kosovës, Albin Kurti. Dhe kjo tregon qartazi atë se sa është pengesë në punën dhe angazhimet e komunave moskrijimi i institucioneve dhe paqëndrueshmëria e institucioneve”.
“Sigurisht se ky është hapi i parë, siç po i lidhem me pyetjen tuaj, hapi i parë i protestave, por si bord i Asociacionit të Komunave të Republikës së Kosovës, do t’i shohim edhe veprime të tjera, se çfarë do të ndërmarrim, në mënyrë që të themi edhe më zëshëm atë që është e vërtetë, dhe atë që është përballje me sfidat dhe atë që është vështirësi në kuadër të punëve dhe angazhimeve tona”, shtoi.
Komunat, Kryetari i Ferizajt deklaroi se që një kohë të gjatë janë duke u përballur me obligime financiare të krijuara nga niveli qendror, derisa tha se janë në një “falimentim funksional”.
“Çështja e parë, pra ka të bëjë me financat, respektivisht me pasojat financiare që kanë derivuar nga kontrata kolektive dhe ju e dini që tashmë është shkuar shuma deri në 360 milionë euro që praktikisht u kanë marrë buxheteve të komunave të Kosovës, dhe fatkeqësisht, në historinë politike të funksionimit të komunave të Kosovës dhe të institucioneve në përgjithësi, gjakderdhja më e madhe financiare që është shënuar ndonjëherë, është pikërisht përmes kontratës kolektive, dhe pikërisht përmes proceseve gjyqësore përmbarimore, që kanë shkaktuar një dëm vetëm në realizim, në shumën prej 27 për qind apo mbi 100 milionë euro që praktikisht kjo ka shkaktuar, siç thashë, një lloj falimentimi funksional të komunave të Kosovës”, pohoi Aliu.









