Një ditë pasi vendosi emrin e ish-kryeministrit serb, Zoran Gjingjiç, në një rrugë të Mitrovicës së Veriut, Qeveria e Kosovës e ka ndryshuar lokacionin e emrit të tij.

Të mërkurën, emri i Gjingjiçit ishte vendosur në të njëjtën shtyllë me atë të heroit kombëtar, Isa Boletini, me tabelat që tregonin kahje të kundërta të rrugës. Ky veprim nxiti reagime të shumta në opinion.

Sipas pamjeve të publikuara të enjten nga mediat serbe në veri të vendit, emrat e Isa Boletinit dhe Zoran Gjingjiç-it nuk ndodhen më në të njëjtën shtyllë. Tabela e Isa Boletinit ka mbetur në vendin ku ishte vendosur fillimisht, ndërsa ajo e Gjingjiç-it është zhvendosur.

Mediumi serb Kossev raporton se tabela e rrugës së emërtuar sipas Gjingjiç-it është vendosur në anën tjetër të rrethrrotullimit, mbi një shenjë ekzistuese të komunikacionit që tregon “përparësi kalimi” dhe “rrethrrotullim”.

Në ceremoninë e vendosjes së emrave të rinj të rrugëve në Veri, përfshirë edhe atë të Zoran Gjingjiç-it, mori pjesë ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli.