Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur në seancën e së premtes anëtarët shqiptarë të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK).

Anëtarët e Bordit janë zgjedhur: Valmir Thaqi, Flokart Aliu, Gëzim Brahaj, Gjeraldina Cernobregu, Fatmir Podrimaj dhe Ilirian Himaj.

Nga radhët e komunitetit serb, asnjë kandidat nuk i ka marrë votat e mjaftueshme. Votat nuk i ka marrë asnjë kandidat as nga radhët e komuniteteve jo shumicë jo serb.

“Për këto dy kategori të anëtarëve të bordit, konstatojmë që duhet ët rishpallet konkursi”, tha nënkryetari i Kuvendit, Ardian Gola, i cili po kryeson seancën plenare.

Votimi i Bordit të RTK-së u bë nën kundërshtimet që Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e një pjesë e shoqërisë civile pati ndaj procesit. Ata kishin thënë se procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK-së “është i komprometuar” dhe emrat të mos dërgohen në Kuvend.

“Ky proces është proces i komprometuar,  i cili proces nuk plotëson standardet minimale përmes të cilit duhet të rekomandohen emrat e anëtarëve të Bordit të RTK-së”, kishte shkruar në Facebook, Flutra Kusari, juriste e medias.