Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për “Politico”, ka kritikuar ritmet e ngadalta të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke theksuar se Kosova ka bërë reforma të thella, por ende nuk po trajtohet sipas meritës.

“Ne kemi ndjekur vetëm këtë rrugë – rrugën e integrimit evropian. Nuk flirtomë me fuqi të tjera, me ato që unë i quaj “trekëndëshi i së keqes” – Rusia, Kina, Irani. Por, njëkohësisht, nuk ndjejmë që qasja jonë pro-evropiane, fakti që jemi 100 për qind të përafruar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së, është vlerësuar. Përkundrazi, shpesh ndihet sikur merret si e mirëqenë”, tha Osmani.

Ajo përmendi faktin se 97 për qind e qytetarëve të Kosovës janë pro-evropianë, derisa shtoi se përkundër “reformave” që ka bërë Kosova në fusha të ndryshme, ato, sipas saj, nuk janë vlerësuar.

“Reformat tona në ekonomi, sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit e korrupsionit kanë qenë thelbësore. Megjithatë, në rrugën tonë drejt integrimit evropian, jemi bllokuar. Procesi që quhet ‘bazuar në meritë’ ende nuk po ndodh”, shtoi.

E pyetur nëse shpreson që Gjermania të luajë një rol më vendimtar në ndihmën për Kosovën dhe vendet e tjera aspirante drejt anëtarësimit në BE, ajo shpreson që Berlini zyrtar të luajë rolin udhëheqës për ta shtyrë këtë proces përpara, “sepse ne nuk kërkojmë bamirësi”.

“Kërkojmë respekt për punën tonë dhe pranim për reformat që kemi bërë. Nëse kjo merret parasysh, Kosova do të ishte në pararojë. Por, realiteti është se aplikimi ynë, dorëzuar që në dhjetor 2022, ende s’është trajtuar – dhe jemi tash pothuajse në dhjetor 2025. Nëse Gjermania merr drejtimin, unë besoj se mund të ndodhë, si çdo proces tjetër i suksesshëm”, potencoi ajo.

Sipas saj, zgjerimi i BE-së nuk duhet parë si bamirësi, “por si potencial që mund ta ndajmë me Evropën, përfshirë Gjermaninë”.

“Kosova nuk duhet parë më si barrë. Kemi popullsinë më të re në Evropë – të aftë në teknologji, shumëgjuhëshe, ndër më të mirët në rajon në fushën e IT-së. Kemi kapital njerëzor dhe potencial ekonomik të madh. Por kjo është edhe një domosdoshmëri strategjike: një Ballkan Perëndimor paqësor e stabil do të thotë një Evropë paqësore dhe stabile. Zgjerimi është në interes të vetë BE-së”, konsideron presidentja.

Intervista e Presidentes Osmani për “Politico”:

*Gazetari:* Zonja Presidente, ndoshta mund të ndjejmë pak nga ajo që më herët u quajt “lodhje nga zgjerimi” – një lloj frustrimi me ritmin e ngadaltë të procesit në Bruksel. Pyetja e parë: a mund të luajë Gjermania një rol më vendimtar në ndihmën për Kosovën dhe vendet e tjera aspirante drejt anëtarësimit në BE?

*Vjosa Osmani:* Shpresoj shumë që po. Siç e dini, populli i Kosovës asnjëherë nuk ka parë në ndonjë drejtim tjetër. Ne kemi ndjekur vetëm këtë rrugë – rrugën e integrimit evropian. Nuk flirtomë me fuqi të tjera, me ato që unë i quaj “trekëndëshi i së keqes” – Rusia, Kina, Irani. Por, njëkohësisht, nuk ndjejmë që qasja jonë pro-evropiane, fakti që jemi 100% të përafruar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së, është vlerësuar. Përkundrazi, shpesh ndihet sikur merret si e mirëqenë.

97% e qytetarëve të Kosovës janë pro-evropianë. Reformat tona në ekonomi, sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit e korrupsionit kanë qenë thelbësore. Megjithatë, në rrugën tonë drejt integrimit evropian, jemi bllokuar. Procesi që quhet “bazuar në meritë” ende nuk po ndodh. Por shpresoj që Gjermania të luajë rolin udhëheqës për ta shtyrë këtë proces përpara, sepse ne nuk kërkojmë bamirësi, as shkurtore. Kërkojmë respekt për punën tonë dhe pranim për reformat që kemi bërë. Nëse kjo merret parasysh, Kosova do të ishte në pararojë. Por, realiteti është se aplikimi ynë, dorëzuar që në dhjetor 2022, ende s’është trajtuar – dhe jemi tash pothuajse në dhjetor 2025. Nëse Gjermania merr drejtimin, unë besoj se mund të ndodhë, si çdo proces tjetër i suksesshëm.

*Gazetari:* Po, por jeni ende shpresëplotë? Fredrik Merz ka një agjendë të gjerë të brendshme dhe një pjesë e saj është skeptike ndaj zgjerimit.

*Vjosa Osmani:* Mendoj se edhe kjo është çështje e brendshme. Zgjerimi nuk duhet parë si bamirësi, por si potencial që mund ta ndajmë me Evropën, përfshirë Gjermaninë. Kosova nuk duhet parë më si barrë. Kemi popullsinë më të re në Evropë – të aftë në teknologji, shumëgjuhëshe, ndër më të mirët në rajon në fushën e IT-së. Kemi kapital njerëzor dhe potencial ekonomik të madh. Por kjo është edhe një domosdoshmëri strategjike: një Ballkan Perëndimor paqësor e stabil do të thotë një Evropë paqësore dhe stabile. Zgjerimi është në interes të vetë BE-së.

*Gazetari:* Ka shumë që thonë se BE duhet të reformohet para se të zgjerohet. Çfarë mendoni?

*Vjosa Osmani:* Nëse presim që reformat e BE-së të përfundojnë përpara zgjerimit, mund të duhen dekada. Kjo s’do t’i shërbente një Evrope të bashkuar dhe të lirë. Besoj fort se reformat dhe zgjerimi mund të ndodhin paralelisht. Ka mënyra për të kapërcyer pengesat aktuale, për shembull duke ndryshuar mënyrën e votimit për pranimin e anëtarëve të rinj – që një vend i vetëm të mos mund ta bllokojë procesin për arsye politike të brendshme.

Nëse e fusim zgjerimin në “dhomën e pritjes”, do të rrezikojmë destabilizimin, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor. Procesi i bazuar në meritë duhet të jetë çelësi: të vlerësohet përafrimi me politikën e përbashkët të jashtme, me sanksionet e BE-së, me demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut. Kush i plotëson këto kritere, duhet të ecë përpara. Kush jo, duhet të mbetet pas, sepse BE-ja nuk ka nevojë për “kalë troje” të rinj brenda saj.

*Gazetari:* Ju thoni se nuk keni alternativë, por çfarë ndodh nëse procesi ngec?

*Vjosa Osmani:* Ne jemi një komb që ka luftuar për të mbrojtur qytetërimin evropian shumë kohë para se BE-ja të ekzistonte. Heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti, ka luftuar më shumë se 500 vjet më parë për të mbrojtur “portën e fundit të Evropës”. Kjo është në ADN-në tonë kombëtare. E kemi bërë për shekuj dhe s’do të ndalemi tani. Pavarësisht sa e gjatë apo e vështirë të jetë rruga, ne nuk do të ndryshojmë kurs. Sepse në orët më të errëta të historisë sonë, kur ndaj nesh kryhej gjenocid, ishin vendet perëndimore – ishin vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara – që nuk mbyllën sytë, por na erdhën në ndihmë. Kjo ka vulosur përfundimisht orientimin tonë strategjik.

Nuk shoh asnjë pikë kthese ku Kosova do të ndryshonte krah. Kurrë.