Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka konsideruar kërkesën e Prokurorisë së Gjykata Speciale për dënim me 45 vite burg për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si “çmenduri”, “paturpësi”, “mizori”, dhe si një “bombë” të hedhur mbi popullin dhe shtetin e Kosovës.

“M’u desh dhe më duhet sinqerisht më duhet kohë të kuptoj se si mund të përballet një gjë e tillë, një çmenduri e tillë, një paturpësi e tillë një mizori e tillë me fjalë kërkesa për 45 vite burg për të katër figurat domethënëse të Luftës Çlirimtare ishte një bombë e hedhur mbi popullin dhe mbi Republikën e Kosovës”, tha Rama të dielën në podcastin e tij “Flasim”.

“Nga një prokurori krejt e padenjë e cila për të marrë në shqyrtim historinë e përgjakshme të Luftës Çlirimtare të Kosovës bëri 6 vite hetim dhe doli me pretendimin se gjatë viteve ’98-99 qenkan kryer krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndaj civilëve”, shtoi ai.

Por, Rama deklaron se “nuk ka asnjë ligj ndërkombëtar që lejon dënime mbi pretendime të tilla dhe pa asnjë provë të qartë se ekziston një plan dhe një forcë e organizuar për të sulmuar dhe për t’u marrë jetën civilëve si të tillë pse janë civilë”.

“Po ashtu, nuk ka asnjë lloj ligjësie dhe asnjë ligj ndërkombëtar që i hap rrugën dënimit të një udhëheqësi në një Luftë Çlirimtare, vetëm se ka qenë udhëheqës. Ama, pa provuar se ka dhënë urdhra për të sulmuar civilët se ka pasur kontroll real mbi të gjitha formacionet luftarake në territor të një Ushtrie Çlirimtare në emër, por të një tërësie forcash të bashkuara nga i njëjti ideal dhe qëllim, por jo në të njëjtin organizim në territor apo se ka pasur ndonjë lidhje tjetër drejtpërdrejt me vepra penale të kësaj ububushmërie”.

“Ajo farë Prokurorie”, konsideron ai, “dështoi të sillte, qoftë dhe një provë të vetme për ta mbështetur këtë kërkesë mizore pas gjashtë a pak a shumë gjashtë vitesh hetime e mbështetur nga një zinxhir shtetesh demokratike, të cilat duhet të ndjehen të turpëruara nga një maskaradë e tillë”.

“Ky nuk është një turp për ca prokurorë, për atë farë idioti ndërkombëtar që dilte dhe lexonte broçkulla. Ky është një turp për shtetet që e mbështesin atë gjykatë, që e paguajnë atë gjykatë, që mundësojnë rroga marramendëse për personazhe të kësaj injorance”, potencoi ai ndër të tjera.