Kongresmeni amerikan, Keith Self, ka thënë se shpreson të mos ketë paragjykime politike në shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-Presidentit, Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas tij, lejimi i paragjykimeve politike është një temë që ka dalë vazhdimisht nga Haga.
Reagimi i Self-it vjen një ditë para se Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale të shpallë aktgjykimin ndaj krerëve të UÇK-së.
“Një temë e vazhdueshme që po del nga Haga duket se është lejimi i paragjykimeve politike për të ndikuar në vendimet e tyre. Shpresoj që një paragjykim i tillë të mos shfaqet këtë javë kur të jepet një vendim në gjyqin e Hashim Thaçit dhe tre civilëve shqiptarë që luftuan për pavarësi nga vitet e shtypjes serbe”, ka shkruar Self.
Derisa ka përmendur sigurinë e brishtë në Ballkan, kongresmeni amerikan ka theksuar se Ballkani është fuqi baruti dhe ka treguar për pasojat që mund të ketë një vendim i ndikuar nga politika në Hagë.
“Ballkani është një fuqi baruti, në një rajon ku regjimet shtypëse nuk do të donin asgjë më shumë sesa të ndezin flakët e përçarjes, në vend që të punojnë drejt pajtimit”, konsideron ai.

Të mërkurën e 16 shtatorit, nga ora 10:00, Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale do të shpall aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Krerët e UÇK-së gjenden në qendrën e paraburgimit që nga 5 nëntori i vitit 2020.
Prokuroria e Speciales i akuzon ata për krime të pretenduara lufte dhe ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin.
Nga ana tjetër, të katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.









