Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, derisa ndodhet në New York, ka kritikuar SHBA-të për mungesën e mbështetjes së mjaftueshme ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, të cilët më 16 shtator morën një dënim skandaloz prej 81 vitesh.

Ai specifikisht ka kritikuar ish-presidentin amerikan, Joe Biden, dhe tha se ai e ka “tradhtuar” ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Rama i bëri këto deklarata gjatë fjalimit të tij në mbrëmjen gala të organizuar në New York nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane.

“Meqë ra fjala për Sal Rusin dhe familjen e tij, më bën të vuaj mungesa e dikujt që ka qenë gjithmonë i ftuar në strehën e tij. Ai është Hashim Thaçi. Ai nuk është me ne këtu, sepse ky vend e tradhtoi. Sepse Joe Biden, që e emërtoi George Washingtonin e Kosovës, e tradhtoi. Edhe pse gjenerali Clark dhe disa njerëz bënë më të mirën, ky vend nuk bëri më të mirën për Hashim Thaçin”, tha Rama.

Rama më pas arsyetoi termin “tradhtuar”.

“Kur them tradhtuar, është sepse ne, si vend i vogël, ndihemi miq me SHBA-të, më të mëdhenjtë e më të fortët. Mund të ishte bërë më shumë, duke mos lejuar që kjo farsë të niste”, u shpreh ai.

Ai, në atë gala mbrëmje, gjithsesi shprehu mirënjohje për gjeneralin amerikan Wesley Clark, i cili kishte qenë dëshmitar i mbrojtjes së Hashim Thaçit, vitin e kaluar në Hagë.

“Gjeneral, ju jam mirënjohës për gjithçka keni bërë në kapacitetin tuaj personal”, tha Rama.