“Albin Kurti mundet veç një ligjëratë me mbajtë: me u tregu partive politike nëpër botë si fitohen zgjedhjet duke blerë vota me buxhet të shtetit. Ky është suksesi i tij i vetëm, i faktuar deri më tani”.

Kështu ka thënë Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, pasi që Kryeministri Albin Kurti, gjatë një diskutimi të organizuar nga ODI Global në Londër u mburr për ekonomi.

“Derisa kryeministri i Kosovës, me ligjëratë për ekonominë po ‘lë gojëhapur’ në Londër ekonomistët me renome botërore, këtu Agjencia e Statistikave të Kosovës, që operon në Zyrën e po këtij kryeministri, ka dalë me publikim ku tregon se inflacioni në mars ka arritur në 6.7%”, shkroi Bajrami në Facebook.

“Të kuptohemi drejtë: 6.7% është rritja mesatare e çmimeve në krahasim me vitin e kaluar, por realiteti është shumë më i hidhur dhe këtë e dinë qytetarët që shkojnë çdo ditë në market”, potencoi ajo.

Bajrami theksoi se gjithçka që qytetari ka nevojë për të jetuar është bërë më shtrenjtë. Kjo është një krizë, sipas saj, që qytetarët po e paguajnë çdo ditë.

“Ndërkohë, Albin Kurti ka dalë nëpër botë e po shet mend për ‘stabilitet ekonomik’. Çfarë stabiliteti është ky kur rritja e çmimeve është dyshifrore dhe qytetarët detyrohen të heqin dorë nga gjërat bazike”, shkroi tutje.

“Po, e dimë të gjithë se një pjesë e rritjes së çmimeve vjen si rezultat i krizave globale, por a nuk jemi ne vendi i vetëm ku Qeveria nuk ndërmori asnjë masë?”.

Çmimet nuk ulen, thekson ajo, “me ligj as ligjërata, çmimet mbahen të ulëta kur ndihmon sektorin e prodhimit, kur objektiv e ke zëvendësimin e importit me prodhim vendor, kur je në gjendje t’i ndihmosh këtij sektori edhe duke hequr dorë nga disa të hyra buxhetore”.

Por, Albin Kurti, siç thotë ajo, “kurrë këtë hall s’e ka pasur”. “Ai sot s’e ka idenë me çfarë problemeve po përballen prodhuesit e përpunuesit e qumështit në Kosovë, sepse nuk ka dashur të dijë. Ai çdo mëngjes e pyet Hekuranin se si të maksimizojë votën me 200 milionë euro taksa të qytetarëve”.