“Shqetësim serioz” ka shprehur Bashkimi Evropian për mosmiratimin e rezultatit përfundimtar për Listën Serbe për zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit për Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve të Kosovës e cila dirigjohet nga Beogradi – nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
“BE-ja përsërit thirrjen e saj për depolitizimin e punës së KQZ-së, në përputhje me raportin e Misionit të BE-së për Vëzhgim të Zgjedhjeve, dhe u bën thirrje të gjitha partive të punojnë së bashku, në përputhje me Kushtetutën”, kanë thënë nga BE-ja në një përgjigje për Radio Evropa e Lirë.
Nga Unioni kanë theksuar se është e rëndësishme që të gjithë kandidatët e zgjedhur në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të jenë në gjendje t’i marrin mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës.
Në mbledhjen e 31 janarit, KQZ miratoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, por jo ato të Listës Serbe. Tre anëtarë të KQZ-së votuan pro konfirmimit të rezultateve për Listën Serbe, dy anëtarë tjerë, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi të Vetëvendosjes, votuan kundër, ndërsa anëtarët e tjerë abstenuan.
Ky veprim i KQZ-së u kritikua edhe nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke thënë se “është në kundërshtim me të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur në mënyrë demokratike përfaqësuesit e tyre”.
Sipas një deklarate dhënë për REL-in nga një zëdhënës i kësaj Ambasade, “çdo përpjekje për të shkelur këtë parim bazë minon partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”.
Për mosmiratimin e rezultateve të saj, Lista Serbe të hënën ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).









