Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë takimit me Raportuesin e Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, i ka thënë këtij të fundit se vazhdimi i masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës është i padrejtë.
“Presidentja Osmani theksoi se, pavarësisht bashkëpunimit konstruktiv, vazhdimi i masave të BE-së ndaj Kosovës mbetet i pashpjegueshëm, i padrejtë dhe i paarsyeshëm”, thuhet në komunikatë të zyrës për media të presidencës.
Në këtë kontekst, ajo kërkoi mbështetjen e Terras për heqjen sa më të shpejtë të këtyre masave, duke rikujtuar se ato dëmtojnë qytetarët dhe minojnë besimin në procesin e integrimit, teksa Kosova ka përmbushur çdo kërkesë të paraqitur nga partnerët evropianë.
“Sipas Presidentes Osmani, heqja e masave do të ishte një sinjal i fuqishëm për qytetarët dhe një mesazh inkurajues për vazhdimin e reformave”.
Po ashtu, Osmani shtroi nevojën që kërkesa e Kosovës për anëtarësim në BE të procedohet sa më parë dhe që anëtarësimi të bëhet në bazë të meritave.
“Gjatë takimit, Presidentja prezantoi një sërë të dhënash të institucioneve ndërkombëtare që e pozicionojnë Kosovën në majat e performancës në shumë fusha kyçe”, thuhet tutje në komunikatë.









