Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, derisa e ka kritikuar Kryeministrin Albin Kurti për çështjen e Presidentit, ka thënë se partia që përfaqëson nuk bëhet pjesë e, siç e quan ai, “komplotit ndaj shtetit”.
“Ne nuk dojmë që të jemi pjesë e krejt këtij komploti që po i bëhet shtetit në asnjë rrethanë dhe në asnjë moment”, deklaroi Tahiri në një konferencë për media nga holli i Kuvendit.
Ai theksoi se po të donte Kurti që të zgjidhte Presidentin, do t’ia jepte mundësinë kandidatëve të opozitës, duke qenë se vetë nuk i ka votat e mjaftueshme.
“Po të kish dashtë Albin Kurti me zgjedh President ai ia kish jap mundësinë për diskutim kandidatëve të opozitës se nuk i ka numrat, po ai po flet për numra, po ai nuk i ka 80 vota e duke mos i pasë 80 vota, emrat duhet me ardhë prej opozitës. Duhet me u diskutu dhe emrat e kandidatëve dhe kandidateve, nuk duhet me u marr vesh prej mediave, po vijnë prej një burimi serioz të një diskutimi të sinqertë, të rrethanave bukur të vështira, në të cilën po kalon vendi”, potencoi ai.
Ai kritikoi qasjen e Kurtit edhe ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilës në konferencë për media i kërkonte nënshkrimet e kandidatit të tyre për President, por nuk tregonte nëse do ta mbështeste.
“Fliste poshtë për nënshkrime, qe ku e ka zyrën, qe ku është zyra e LDK. Qysh flet një Kryeministër, dikush që don me ia dhënë një zgjidhje Kosovës përmes mediave që janë poshtë e nuk ngjitet një kat ma lart me gjetë formën e komunikimit politik. Kjo nuk është asgjë tjetër vetëm një tendencë me këqyr me bart fajin herë në një anë, herë në anën tjetër”.
Në ora 23:00, pritet që të mbahet seanca e radhës për Presidentin, e cila ka nisur nga e hëna.








