Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar ashpër Bashkimin Evropian pas përfundimit të Samitit të Planit të Rritjes së BE-së, që u mbajt në Tiranë. Në një reagim në Facebook, Kurti tha se aplikimi i Kosovës për statusin e vendit kandidat është lënë “të mbledhë pluhur” në zyrat e BE-së për tre vjet.
“Asnjë vend në rajonin tonë nuk ka qenë më i përgatitur në momentin e kërkimit të statusit të vendit kandidat sesa Kosova sot. Të flitet për urgjencën e zgjerimit (të BE-së) në njërën anë, ndërkohë që lihet aplikimi i Kosovës të mbledhë pluhur për tre vjet në një raft të BE-së, është, së paku, një paradoks”, shkroi Kurti në Facebook.
Kurti kërkoi gjithashtu heqjen e plotë të masave të vendosura nga BE ndaj Kosovës, duke theksuar se ato dëmtojnë procesin e harmonizimit të politikës së jashtme të vendit me atë të bashkimit.
“Kjo është hera e fundit që do të adresoj masat ndëshkuese të BE-së. Ato duhet të hiqen plotësisht dhe tërësisht, ashtu siç kërkoi vitin e kaluar ish-Përfaqësuesi i Lartë dhe ish-Zëvendëspresidenti i BE-së, Josep Borrell”, potencoi Kurti.
Ai paralajmëroi se vazhdimi i këtyre masave përbën pengesë serioze për marrëdhëniet e Kosovës me BE-në dhe dëmton përpjekjet e vendit për të ecur përpara në procesin e integrimit evropian.









